Shkëlqim Hajdari: Bashkëpunim me Japoninë për inspektimet e institucioneve
Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari vizitoi nga datat 17 – 22 Mars Institucionet homologe për Shëndetësinë dhe Sigurinë Ushqimore të shtetit të Japonisë. Në vijim të takimeve të zhvilluara gjatë muajve Korrik-Tetor 2017 me Ambasadorin e parë rezident të shtetit të Japonisë në Shqipëri, Makoto ITO, me mbështetjen e tij dhe të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Japoni, Gjergj Teneqexhiu, Inspektori i Përgjithshëm u ftua të vizitoj Institucionet homologe në Japoni.

Kryeinspektori për Sigurinë Ushqimore Akei Minami, si dhe Akatsuki Hirao, shef i Laboratorit të Ushqimit në Karantinën e Tokios, theksuan se inspektimet kryhen vetëm duke u bazuar në për llogaritjen e riskut, përmes teknikave e mjeteve dixhitale. Për rastet e konstatimit të shkeljeve, masat e zbatuara kishin të bënin me sekuestrimin e të gjithë produkteve dhe shkatërrimin, asgjësimin e tyre. Nga ana e mikpritësve u shpjeguan dhe u prezantuan procedurat dhe rregullat e marrjes së kampionëve dhe verifikimit të tyre në laboratorët e specializuara, për të gjitha produktet ushqimore që hynë në Japoni. E veçanta e këtij procesi ishte se, kampionet u merren produkteve që në vendin e origjinës, pra në nisje nga vendi ku merren (importohen). Japonia kishte Laboratore të specializuara në të gjitha pikat kufitare të hyrje/daljes së produkteve ushqimore në Japoni dhe vetëm pas marrjes së miratimit të Laboratoreve, autoritetet e kufirit lejonin hyrjen e produkteve ushqimore për konsum në Japoni.
Në takimin me Profesorin Wataru Iizuka, në Ministrinë e Shëndetësisë, u prezantuan proceset dhe procedurat e kryerjes së inspektimeve, bazuar në analizën e riskut me dokumente të standardizuara, dhe me mjete e sisteme elektronike, dixhitale dhe, çfarë ishte më e rëndësishmja, të gjitha rezultatet e inspektimit shoqëroheshin me analizat e kryera.
Nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm pasi u trajtuan përpjekjet e puna për standardizimin dhe unifikimin e inspektimeve online, përmes sistemit elektronik “e-Inspektimi”, u trajtuan edhe projektet konkrete, fushat me interes të bashkëpunimit, fusha në të cilat Japonia është shembulli më i mirë në botë. Inspektori i Përgjithshëm e informoi Profesorin Iizuka me punën për reformimin e sistemit të inspektimeve, nga pikëpamja strukturore dhe metodologjike. Inspektimet në Shqipëri, theksoi Inspektori i Përgjithshëm, do të kryhen vetëm online, në ndihmë të biznesit dhe ky do të jetë edhe thelbi i reformimit të inspektimeve.

Në takimin prezantues me Takuya Ishimaru, shef për prezantimin e brandit Panasonic, u prezantua puna kërkimore shkencore dhe zhvillimet më të fundit teknologjike, të cilat konsistojnë në përdorimin e teknologjisë më të lartë në mbështetje të analizës së riskut, kryerjes së analizave shkencore dhe realizimin online të inspektimeve. Inspektori i Përgjithshëm gjatë prezantimit dhe takimit me ekspertë të kompanisë Panasonic. shprehu bindjen se industria Japoneze e pajisjeve elektronike & aplikacioneve software do të ishte një shembull avant-garde për t’u marrë në konsideratë për kryerjen e inspektimeve.
Inspektori i Përgjithshëm gjatë paraqitjes së projekteve konkrete shpalosi prioritetet e punës dhe nevojat për mbështetje, veçanërisht me sjelljen e ekspertëve për trajnimin e Inspektorëve Shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, si dhe zgjidhjeve më të fundit teknologjike nga Industria Japoneze. Mësimi i praktikave më të mira dhe rregullave të zbatuara për mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetin, ekosistemin dhe menaxhimin e mbetjeve do të jenë në fokusin e përpjekjeve për tërheqjen e ndihmës dhe mbështetjes së Agjencisë JICA. Japonia si shembulli më i mirë për trajtimin tejet të kujdesshëm të masave për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimit të mbetjeve, me sjelljen e ekspertëve të saj, ka çfarë eksperience dhe njohurie të transmetojë për Inspektoratin Qendror dhe Inspektoratet Shtetërore dhe ato të qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë. Qeveria e Japonisë do të studiojë projektet e paraqitura dhe do të shikojë mundësinë dhe mbështetjes përmes Agjencisë së Ndihmës dhe Zhvillimit Ndërkombëtar Japonez – JICA për projektet e përmirësimit dhe fuqizimit të sistemit elektronik të inspektimeve online, si dhe sjelljen e ekspertëve më të mirë për fushat me interes të ndërsjelltë.
KOHA JONË SONDAZH

