Shkencëtarët kinezë zbulojnë antitrupat e fuqishëm kundër Covid 19

Një ekip shkencëtarësh kinezë ka izoluar një grup anti-trupash për të cilët thonë se janë “tepër të efektshëm” për të bllokuar aftësinë e koronavirusit që të depërtojë në qelizat e njeriut.

Ekspertët thonë se ky mekanizëm mund të ofrojë shpresa për të kuruar dhe parandaluar COVID-19. Zhang Linci dhe ekipi i tij në Pekin shpjegojnë se një ilaç që përmban anti-trupat në fjalë mund të jetë më i efektshëm se sa trajtimet e tjera, si për shembull përdorimi i plazmës me antitrupat e personave që janë shëruar, pasi përdorimi i plazmës është i kufizuar në bazë të grupit të gjakut.

“Rëndësia e anti-trupave është provuar në mjekësi prej dekadash. Ato përdoren për të kuruar kancerin, apo çrregullime auto-imune si dhe sëmundje ngjitëse. Prandaj kemi shpresa se anti-trupat që kemi zbuluar mund të jenë shumë të efektshëm për pacientët me koronavirus si për mjekimin ashtu edhe për parandalimin e infeksionit,” thotë Dr. Zhang Linci, i cituar nga VOA.

Ekipi shkencor filloi të analizonte anti-trupat që në janar, duke mbledhur mostra gjaku nga pacientë me COVID-19.

Ky ekip po punon për t’i kombinuar anti-trupat e zbuluar me anti-trupa të tjerë për të ulur rrezikun e mungesës së efikasitetit nëse koronavirusi shfaq mutacione.Anti-trupat nuk janë të krahasueshme me rolin e vaksinës, por mund t’u jepen personave në rrezik me qëllim që të mbrohen nga infeksioni.

Nëse studimet rezultojnë pozitive, anti-trupat mund të prodhohen në masë për prova me kafshët dhe më pas me njerëz.

SHKARKO APP