Shkjau: Mos ma shani Durrësin

Deputetja e mazhorancës për Qarkun e Durrësit, Esmeralda Shkjau ka reaguar gjithashtu për çështjen e arrestimit të Shullazit, i cili është përfolur se ka kërcënuar biznesmenë në Durrës.

Mirëpo, sipas Shkjaut, ky fenomen ndikon negativisht në sezonin turistik që po afron për qytetin bregdetar, prandaj ajo ka bërë një reagim të pazakontë.

Me këtë arsyetim, Shkjau i drejtohet opozitës me një thirrje publike që të mos e inkriminojnë Durrësin, sepse mund t’i shkaktojnë dëm në imazh. Ja reagimi i plotë:

Mos e inkriminoni Durrësin

Si deputete e Durrësit në Kuvendin e Shqipërisë këto ditë e kam ndjerë veten keq. Arrestimi i një individi nga Policia është bërë objekt i një sulmi të paprecedentë që përfaqsuesit e opozitës po bëjnë në drejtim të qytetit të cilin unë përfaqësoj. Shqetësimin tim e shpreha edhe dje gjatë seancës plenare, pasi dëgjova për orë të tëra kolegët e mi të opozitës të lidhnin një individ dhe veprat e tij, me një qytet që përfaqëson krejt të kundërtën. Fillimisht kam një kërkesë shumë të sinqertë për të gjithë përfaqësuesit e opozitës: Mos e inkriminoni Durrësin. Të paktën jo tani…

Jemi në prag të sezonit turistik dhe i gjithë vendi por edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi i drejtojnë sytë nga Durrësi. Si banore e këtij qyteti kam parë çdo fundjavë me qindra familjarë e të rinj që zgjedhin Durrësin për të pushuar edhe pse ende nuk ka filluar plotësisht sezoni turistik. Shumë prej jush ju kam përshëndetur në fundjavë teksa vini të pushoni në Durrës. Shumë prej jush më kanë përgëzuar për investimet që qeveria dhe Bashkia e Durrësit kanë bërë që qyteti të ketë një tjetër fytyrë. Mos harroni që Durrësi është pronë e të gjithë shqiptarëve. Secili çdo vit me pushimet dhe qëndrimin e tij investon që qyteti të bëhet më i bukur. Që shërbimet të jenë më të mira. Që ekonomia e atyre tregtarëve sezonalë të përmirësohet. Që plazhi të jetë më i pastër. Që çmimet të jenë më të arsyeshme. Që siguria të jetë më e lartë. Që çdo vit të jetë më mirë.

Keni dëshmi, fakte, dokumente, akuza, informacione? Shkoni depozitojni të gjitha në Prokurori. Nuk keni pse artikuloni vazhdimisht Durrësin. Nuk keni pse për shkak të një kauze momentale politike ndosni të gjithë qytetin. Kjo është arsyeja që e gjitha maxhoranca dhe unë personalisht kërkojmë vazhdimisht miratimin e menjëhershëm të Reformës në Drejtësi. Besoj shumë se me miratimin e saj, çdo kush do të bëhet më i përgjegjshëm për fjalët dhe akuzat që thotë. Besoj shumë se duke filluar që nga momenti që do të ngremë kartonët jeshil në parlament për miratimin e kësaj reforme edhe Durrësi jonë do të shpëtoj nga etiketimet që e lidhin me armët, bandat dhe krimin.

Në fund kam një ftesë të sinqertë për çdo shqiptar. Harrojni thirrjet për tu armatosur. Merrni familjarët, fëmijët dhe të dashurit tuaj dhe ejani të kaloni një fundjavë në Durrës… Fundjavë të këndshme

SHKARKO APP