Shkodra, kryeqyteti i vrasjeve. 7 viktima në pak muaj
Vrasja e 19-vjeçarit në Shkodër, tregon edhe njëherë tjetër që qyteti vijon që të jetë nën ”sundimin” e bandave. Faji i vetëm i Erjon Xhenjës ishte ai të qenit kushëriri i parë i disa personave më të shkuar kriminale, e në një vend kur shteti nuk siguron rendin, hakmarrja mplekset me gjakmarrjen, e duke shkelur çdo kod të kanunit, merr edhe jetë të pafajshme.
Sagën e ngjarjeve kriminale për vitin 2022 në Shqipëri do ta hapte atentati me armë zjarri ndaj 34-vjeçarit Kastriot Piroli, në Shkodër, mbrëmjen e 4 janarit. Piroli mbeti i plagosur rëndë, teksa dyshimet lidhen me një vrasje të kryer në Mal të zi nga Piroli.
Në 13 shkurt të 2022 në Shkodër do të ekzekutohej 48-vjeçari Prek Tonaj. Në 9 mars të këtij viti, Admir Bajri, 38-vjeç u qëllua me breshëri plumbash teksa mbeti i plagosur rëndë. Në 12 prill në një atentat tipik mafioz do të ekzekutohej me breshëri automatiku në Shkodër, Nazmi Bandula, një emër mjaft i njohur për blutë e metropolit verior.
Mbrëmjen e 19 Prillit 2022 në Shkodër do të plagosej shtetasi Edi Reçaj në zonën e Perashit në Shkodër. Misteri mbuloi këtë ngjarje. Në 3 qershor të 2022 në një atentat mafioz që tronditi Shkodrën do të vritet Naim Bajri dhe i plagosur mbeti shoku i tij, Astrit Zeneli.
Në 14 Qershor shtetasi Pjerin Bushtulli do të binte pre e një atentati mafioz në Velipojë, ku për pasojë mbeti i plagosur rëndë. 75 vjeçari Lulash Qepuri do mbetej viktimë e një atentati mafioz pranë banesës së tij në Stom Golem mbrëmjen e 15 qershorit.
Në 23 gusht të këtij viti pas një debati në një lokal në Shelqet, Agron Metushi do të vritet nga Alfond Palushi. Në datën 2 shtator do të vritet pranë banesës së tij në Kiras, 57 vjeçari Ismet Çakorja, teksa vetëm 4 ditë më parë përmes një apeli ne media njoftoi se jeta e tij është në rrezik. Mbrëmjen e 18 shtatorit krimi do shënonte viktimën e radhës, ku plumbat e qitësve profesionistë i morën jetën 19-vjeçarit Erjon Xhenje.
Shkodra i di porositësit dhe autorët. 5 efektivë të Policisë së Shkodrës përgjatë këtij viti kanë qenë target i kanosjes nga djegia e pronës deri tek vendosja e tritolit nëpër banesa. ”Faji” ishte pjesëmarrja në operacionet antikanbis në Dukagjin.