Shkoi në spital i plagosur dhe deklaroi se u vetëdëmtua, arrestohet 43-vjeçari
Policia e Skraparit ka arrestuar për “Moskallëzim krimi” 43-vjeçarin, V. Braho, i cili u paraqit ditën e djeshme në spitalin e qytet i plagosur me armë zjarri.
Njoftimi i policisë
Deklaroi se ishte vetëdëmtuar me mjet të mprehtë, arrestohet në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, 43-vjeçari që u paraqit në spitalin e Beratit, ditën e djeshme.
Shpallet në kërkim 47-vjeçari që dyshohet se e plagosi aksidentalisht me armë zjarri.
Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Skrapar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. B., 43 vjeç, banues në Skrapar, sepse ditën e djeshme është paraqitur me dëmtime në trup, në Spitalin Rajonal Berat dhe gjatë deklaratës përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, ka pretenduar se ishte vetëdëmtuar aksidentalisht duke punuar në oborrin e shtetasit A. A.
Nga veprimet hetimore të punonjësve të Policisë, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe këqyrja e të dëmtuarit nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se ky shtetas ishte plagosur me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim, për veprat penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia” dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasin A. A., 47 vjeç, pasi dyshohet se në oborrin e banesës së tij, në fshatin Grevë, Skrapar, ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri shtetasin V. B. Vijon puna për kapjen e tij.