Shkolla e dëmtuar nga tërmeti, fëmijët shkojnë në fshatin fqinj
150 fëmijë të fshatit Shtodhër në Kavajë, udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës së Helmasit, në fshatin Kazaz për të zhvilluar mësimin në orët e pasdites. Pas dëmtimeve të shumta nga tërmeti i 21 shtatorit, shkolla u mbyll me premtimin se do t’i nënshtrohej rikonstruksionit. Brenda dhe jashtë saj, ka mure të çara, suva të rëna por ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj askush nuk është kujtuar për riparimin e saj.
Me pakësimin e orëve me dritë natyrale dhe ardhjen e dimrit, nxënës dhe prindër janë të shqetësuar. Shkolla e Shtodhrit ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit të Kavajës, po nxënësit e saj janë të detyruar ta ndjekin mësimin pasditeve vetëm në shkollën e Helmasit duke përshkuar 8 km vajtje-ardhje me autobuz në një rrugë tejet të dëmtuar fshati nga kalimi i mjeteve të rënda.
Disa prej prindërve shprehen: ”Ne jemi lagje qyteti dhe pse të shkojë fëmija në Kazaz në fshat? Shkolla u prish prej tërmetit dhe as kanë filluar akoma nga rregullimi. Edi Rama sikur tha se do të rregullohet brenda muajit (tetor). Shikoni sa rrugë e keqe është. Ne jemi me zemër të ngrirë derisa kthehen fëmijët”. ”Asnjë masë nuk kanë marrë”. Bashkia po vlerëson marrjen e një ambjenti me qera në Shtodhër, në mënyrë që fëmijët brenda muajit nëntor ta zhvillojnë mësimin pranë vendbanimit të tyre.