Shkolla shqipe te “Zëri i Atdheut”, në Montebelluna të Italisë
Raimonda Deda, mësuese e gjuhës shqipe pranë shkollës shqipe të “Zëri Atdheut”, në Montebelluna të Italisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Treviso, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore.
Me Raimonda Dedën bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
SITORIKU I SHOQATËS PATRIOTIKE “ZËRI ATDHEUT” QË MBËSHTET SHKOLLËN SHQIPE
“Zëri Atdheut”, që ushtron veprimtarinë e saj në Montebelluna të Italisë. “Zëri Atdheut” themelohet më 3 Shkurt të vitit 2018 nga një grup patriotësh nga Kosova të udhëhequr nga Z.Isuf Zenelaj e Z.Besnik Veselaj, dy veprimtarë të hershëm të çështjes shqipëtare dhe pjesëmarrës në luftën çlirimtare që çoi pastaj në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Rritja e komunitetit shqiptar në zonën tonë e bëri të domosdoshëm ndërtimin e një strukture të mirëfilltë e funksionale që ky komunitet të mos shkëputej nga rrënjët etnike e historike të tij. Ishte ai momenti kur shoqatës i bashkangjitet edhe figura ime si mësuese vullnetare. Ndonëse pa eksperiencë në fushën e mësimdhënjes, pasionin dhe dashurinë për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare po mundohem ti përcjell tek filizat e rinj, shqiptarët e të ardhmes, fëmijët tanë. Siç thotë edhe i madhi Gjergj Fishta:
“Pra mallkue njaj bir shqyptari
Qi ket gjuhe te perendis
Trashigim qi na e la i pari
Trashigim si a len aj fmis ”
VAZHDOJMË TË RESPEKTOJMË E KULTIVOJMË TRADITAT TONA
Kjo nismë krijoi një atmosferë mjaft shpresëdhënëse dhe numri i nxënësve nga viti në vit u shtua. Filloi krijimi i kontakteve me autoritetet politike vendase, të cilët vunë në dispozicion të shkollës shqipe sallen ku mësimdhënja të zhvillohej në mënyrë dinjtoze. Raporti që është krijuar me këto autoritete është jashtë mase miqësor ndaj janë gjithmonë të pranishëm në festat tona dhe shikojnë me admirim faktin që ne vazhdojmë të respektojmë e kultivojmë traditat tona. Ndërtimi i kontakteve me shoqatat e tjera që bashkojnë komunitetin shqiptar kudo në Itali dhe ndërtimi i urave lidhëse me autoritetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe me organizma të tjerë qeveritarë, të cilët çdo vit bëjnë të mundur mësimin e gjuhës shqipe duke dërguar materialin didaktik.
TË RINJTË TË ANGAZHUAR ME GRUPIN E VALLEVE DHE GRUPIN E INSTRUMENTISTËVE
Shoqata “Zëri Atdheut” sot numëron rreth 200 të anëtarësuar, të cilët me familjet e tyre janë terësisht të angazhuar në veprimtaritë e shoqatës. Përveç veprimtarisë së shkollës me fëmijet, në gjirin e shoqatës janë të rinjtë me grupin e valleve dhe grupi i instrumentistëve që po hedh hapat e para në ruajtjen e traditave tona si instrumentale ashtu edhe me këngët e sofrave e legjendat e përcjella ndër breza. Gjithashtu është krijuar edhe një skuadër minifutbolli e cila merr pjesë çdo vit në turneun e organizuar nga shoqata, për nder të Epopesë së UÇK. Sivjet u regjistruan 16 skuadra në këtë event. Edhe kjo veprimtari si të gjitha veprimtaritë e tjera të shoqatës sonë u mundësua terësisht me kontributin e komunitetit, gjë që na bën të ndihemi jashtë mase krenarë me bashkatdhetarët tanë.
AKTIVITETE NË NDERIM TË SHTETIT E KOMBIT SHQIPTAR
Tani më lejoni t’ju shpalos disa nga aktivitetet e shoqatës sonë: Muaji i Nëntorit i është dedikuar terësisht flamurit ku shqiptarët mblidhen dhe festojnë shqiponjën dykrenare. Muaji i Shkurtit i dedikohet Pavarësisë së Kosovës ku shpalosen simbolet tona kombëtare. Muaji Mars i kushtohet kujtesës, ku kryesisht aktivitetet janë të përqëndruara mbi figurën e Gjergj Kastriotit, Ati i Arbërve dhe komandantit legjendar Adem Jashari ,shpirti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Muaji Qershor i dedikohet fëmijëve, ku bëhet mbyllja e vitit shkollor dhe shpërndarja e çertifikave e cila shoqërohet me një shëtitje të organizuar nga shoqata. Gjithashtu shoqata “Zëri Atdheut” organizoi prezantimin e librit dokumentar “TERRORI I SERBISE PUSHTUESE MBI SHQIPTARET” të Prof.Doc Nusret Pllana dhe mundësoi depozitimin e këtij dokumenti në biblotekën e Vatikanit. Në këtë moment shoqata po mundëson perkthimin dhe botimin në gjuhën italiane të romanit “ESKADRONET E VDEKJES” me autor Prof.Bardhyl Mahmuti.
MËRGATA SHQIPTARE E AMERIKES ËSHTË MË I FUQISHMI ZË I SHQIPTARISË
Mërgata shqiptare e Amerikes është më i fuqishmi zë i shqiptarisë, në radhet e të cilës kanë ligjërua e punua personazhe të klasit të parë të cilët i përkasin edhe historisë politike e sociale të vendit tonë. Ndonëse një largësi gjeografike e madhe, sytë gjithmonë nga atdheu, shpesh e pamundura behet realitet falë angazhimit të mërgatës shqiptare përtej oqeanit. Amanetet e të parëve, gjuhën, kombin, historinë, ju i ruajtët ndër vite brez pas brezi e ne kemi pse krenohemi me ju, çdo shqiptare ka pse krenohet me ju.
Marrë nga Sokol Paja