Shkollat në pandemi, 120 mësues e nxënës në izolim
Për herë të parë shkollat po përballen me një proces të pazakontë nga pandemia. Dy javë nga fillimi i mësimit, 80 arsimtarë dhe 40 fëmijë janë izoluar pasi kanë rezultuar pozitiv ose me shenja të Covid-19. Specialistët e Ministrisë së Arsimit, shprehen se deri tani nuk janë mbyllur klasa dhe as shkolla për shkak të infeksionit, ndërsa mësimi ka vijuar me mësuesit zëvendësues.
“Një klasë do të mbyllet nëse në të do të ketë më shumë se një nxënës dhe gjithsesi këtë vendim e merr shëndetësia dhe nuk jemi ne që vendosim. Po kemi mësues mjaftueshëm për zëvendësues. Jemi në pritje të VKM për 1000 shtesa dhe 2300 kuota të mësuesve praktikantë që kanë mbaruar arsimin e lartë, janë të kompletuar në aspektin profesional dhe janë të gatshëm të futen në program”, tha përgjegjësi në drejtorinë e arsimit parauniversitar Fiqiri Çifligu.
Tirana, Bulqiza, Gjirokastra dhe Fieri kanë numrin më të madh të arsimtarëve dhe nxënësve të prekur. Fiqiri Çifligu, përgjegjës në drejtorinë e arsimit parauniversitar sqaron edhe shqetësimin e mësuesve në lidhje pagesën për normën mësimore shtesë dhe së cilët arsimtarët nuk do ta përfitojnë.
“Shtesë në pagë do ta kenë të gjithë ata mësues që kryejnë orët shtesë. Norma që përfiton një mësues shkon deri në 7 orë mësimore. E përkthyer në vlerë monetare një mësues duhet të fitojë 8-9 mijë lekë të reja”, shtoi Çifligu.