Shkollat shqiptare në pandemi, ekspertët: Ka dëmtuar rëndë njohuritë e tre brezave
Për të tretin vit akademik radhazi, mësimdhënia në vend nisi me masa kufizuese, duke rrezikuar arritjet e një cikli të tërë, me humbje që do të përçohen në dekada. Qeveria iu përgjigj situatës, duke shkurtuar buxhetin e arsimit në mes të vitit me 12 milionë euro (3.5%). Shpenzimet për arsimin në dy vitet e fundit janë me ulje në raport me shpenzimet e përgjithshme buxhetore. Pasojat e para u panë te rezultatet e maturës 2021, ku në provimin e matematikës, vetëm 4 nxënës morën 10 absolute nga 160 në maturën e 2020-s. Mësuesit pohuan se arritjet mësimore të një brezi të tërë janë dëmtuar rëndë. Ekspertët: Dëmet të pariparueshme, pasojat fatale.
Bilancet e bizneseve rikuperohen për një ose dy vite, por dijet në shkolla mbarten për të gjithë jetën. Brezi i maturantëve që do të diplomohet këtë vit ka kaluar një periudhë të gjatë të studimeve të mesme nën kufizime. “Njohuritë e marra gjatë pandemisë u dëmtuan rëndë. Shumë nxënës e kishin të pamundur të ndiqnin mësimin online, pasi nuk kishin mjetet e duhura”, tha mësuesja Irma Marku e cila jep lëndën e gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin “Ismail Qemali”.
Teksa mësimi me turne do të vijojnë edhe këtë vit në shkolla me ngarkesë të lartë nxënësish, qeveria nuk tentoi të përmirësojë infrastrukturën dhe të bëjë hapa para me dixhitalizimin, përkundrazi me ndryshimet në buxhet, fondet për arsimin u shkurtuan. Ish-zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, analizoi se, në dy vitet e pandemisë, mësimi online ishte vetëm 60% i aksesueshëm.
Ajo tha se, 40% e atyre që morën pjesë online, mësimi ka qenë shumë poshtë standardeve. Këto zhvillime e kanë bërë sistemin arsimor, të brishtë, të dobët dhe jo cilësor, shtoi ajo. Ndërsa eksperti i çështjeve arsimore në vend, Ndriçim Mehmeti, tha se, qeveria e Shqipërisë nuk arriti të bëjë as sa qeveria e re e Kosovës për arsimin. Sipas ekspertit, pandemia thelloi diferencën në shkollim me dy vite më pak mes zonave rurale dhe atyre urbane, duke bërë që në periudhën e pandemisë, arsimi të ishte një privilegj i njerëzve në gjendje të mirë ekonomike dhe jo një e drejtë themelore dhe kushtetuese e individit.
Në vend të rritjes, qeveria shkurtoi me 12 mln euro buxhetin e arsimit këtë vit
Buxheti i këtij viti shënoi rekordet e rritjes në drejtim të shpenzimeve. Në ndryshimet e fundit që u bënë në qershor janë planifikuar të shpenzohen 610 miliardë lekë, ose 10% më shumë se në vitin 2020. Teksa shpenzimet buxhetore janë rritur me ritmet më të larta të dekadës, fondet për sektorin e arsimit u shkurtuan, edhe pse nevojat që lidhen me përballimin e pandemisë (si tabletë, paketa interneti, pagesa shtesë për ngarkesën mësimore) janë rritur.
Në aktin normativ të muajit qershor, qeveria e shkurtoi buxhetin për arsimin me 3,5%, ose me 12 milionë dollarë. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme buxhetore u rritën më tej, buxheti i arsimit shkoi në 40.7 miliardë lekë, nga 42.2 miliardë që ishte në fillim të vitit 2021. Buxheti i këtij viti për arsimin është gjithashtu më i ulët se i vitit të 2020.
Qeveria i shkurtoi fondet në kushtet kur Ministria e Arsimit kërkoi financime shtesë për të përmirësuar platformën dixhitale të mësimdhënies.
Në kuadër të hartimit të projektbuxhetit të vitit 2022, Ministria e Arsimit i kërkoi Ministrisë së Financave të paktën 1.5 – 2 miliardë lekë (rreth 16 milionë euro) fonde shtesë, të cilat i nevojiten për blerjen e pajisjeve elektronike, kompjuterë, laptop, apo tabletë për të rritur standardin në mësimdhënie. Vlera e kërkuar e fondeve shtesë është e përafërt me fondet që qeveria i hoqi Ministrisë së Arsimit këtë vit.
Deri më tani, të gjitha tentativat për të dixhitalizuar proceset e mësimdhënies në shkolla nuk ia kanë rritur qëllimit, duke shkaktuar një kosto të lartë gjatë pandemisë, ku nxënësit në të gjithë vendin për dy vite shkollore morën mësime në distancë.
Shpenzimet për arsimin, në trend rënie
Me krizën e fundit që krijoi pandemia Covid-19, sektori i arsimit po konsiderohet si guri i themelit për ringritjen. Përmirësimi i aftësive për t’u përshtatur me teknologjinë dhe për të qenë konkurrues në një treg global, ka rritur vëmendjen e qeverive ndaj arsimit kudo në botë.
Vendet e zhvilluara të Europës gjatë dy viteve të pandemisë aplikuan masa të ashpra kufizuese në të gjithë fushat e veprimtarisë, përveçse në shkolla, ku nxënësve iu la mundësia të ndjekjes së mësimit në klasë. Shkollat në Francë, Gjermani etj., nuk u mbyllën asnjë ditë, ndryshe nga bizneset dhe veprimtaritë e tjera, të cilat qëndruan për rreth një vit e gjysmë të mbyllura.
Në Shqipëri nuk ka ende analiza të qarta se si e ka dëmtuar pandemia arsimin. Ajo që po shihet është tendenca, pikërisht në vitet e pandemisë, e shkurtimit të fondeve për arsimin dhe për të tretin vit radhazi, mësimi do të vijojë në masa kufizuese.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, fondet për arsimin ishin sa 10.2% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, në krahasim me 11.4% në 2019. Fondet për arsimin në raport me shpenzimet e përgjithshme buxhetore ranë në nivelin më të ulët të paktën nga viti 2013. Ulja pritet të vijojë edhe këtë vit, për shkak të shkurtimeve që u bënë në qershor. Me gjithë fondet që administrohen nga Ministria e Financave për arsimin profesional, totali i buxhetit për arsimin arrin këtë vit në 43.7 miliardë lekë, ose 7.2% e totalit të shpenzimeve buxhetore.
Dijet e rrënuara u pasqyruan te rezultatet e maturës
Në provimet e maturës 2021, në matematikë, vetëm 4 gjimnazistë morën notën 10 absolute nga 166 vitin e shkuar. Megjithëse Ministria e Arsimit e rishikoi sistemin e pikëzimit me ulje, ku pragu për kaluesit u bë 20 nga 25 në vitet e kaluara, sërish numri i maturantëve që nuk kaluan provimin e maturës në matematikë ishte mbi 3000, rreth 5 herë më i lartë se ai i vitit të kaluar. Rezultatet patën rënie të ngjashme, si në provimin e gjuhës shqipe dhe gjuhës së huaj. Mësuesit dhe ekspertët e arsimit thanë se rezultatet e dobëta janë pasojë e dëmit që pandemia ka krijuar në arsim.
Sektori i arsimit është përballur me pasoja edhe në vendet më të zhvilluara, edhe pse masat kufizuese ishin më të buta dhe infrastruktura arsimore dhe dixhitale është më e fortë se në vendin tonë
“The Economist” raporton se Covid-19 ndikoi arsimin në një shkallë që nuk ishte parë më parë. Nga mesi i prillit 2020, më shumë se 90% e nxënësve në botë, nuk shkonin në shkollë. Mbylljet kanë zgjatur me muaj, duke dëmtuar cilësinë e të mësuarit të fëmijëve, sigurinë dhe mirëqenien. Megjithatë, ndërsa të rinjtë në vendet e pasura kthehen në klasat e tyre, reformatorët shpresojnë që tronditja të çojë në ndryshime që do t’i bëjnë shkollat më efikase, fleksibël dhe më të drejta.
Programet mësimore mbetën mbrapa. Britania, Franca dhe Irlanda, midis të tjerave, anuluan provimet përfundimtare. Për një pjesë të vitit 2020, shumë shkolla amerikane i shmangën fare notat, duke i klasifikuar studentët vetëm në ata që kanë kaluar vitin dhe ata që kanë dështuar.
Deri në mars 2021, nxënësit e shkollave fillore në Angli kishin mbetur mbrapa gati tre muaj. Testet e fundit të verës për fëmijët në Belgjikë, zbuluan vonesa të ngjashme. Një studim i nxënësve në Holandë, zbuloi se në një periudhë 8-javore të mësimit online, në gjysmën e parë të vitit 2020, një nxënës mesatar nuk kishte mësuar asgjë të re.
Lufta e Dytë Botërore çoi në hartimin e Ligjit Butler në Britani, i cili rriti vitet e shkollimit të detyrueshëm dhe shfuqizoi tarifat e vendosura nga shumë shkolla shtetërore. Pasi Uragani Katrina përmbyti New Orleans, zyrtarët filluan reformat gjithëpërfshirëse te shkollat. Nëntë vite më vonë, nivelet e diplomimit ishin rritur me 9-13%.
Numri i nxënësve ulet me shpejtësi, hapësira financiare nuk po shfrytëzohet
Ministria e Arsimit referoi se për vitin mësimor 2021-2022, institucionet arsimore presin rreth 375 mijë nxënës nga klasa e parë në klasën e dymbëdhjetë (pa përfshirë arsimin profesional dhe arsimin parashkollor), me një rënie 3.4% në raport me vitin shkollor 2020-2021. Vit pas viti, numri i nxënësve në arsim po tkurret me ritmet 3-4% si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe nivelit të lartë të emigracionit. Në klasën e pestë dhe të gjashtë në Tiranë, numri i nxënësve u tkurr me rreth 20%, si rrjedhojë e emigrimit – pohojnë mësuesit.
Shqipëria përballet me plakjen e popullsisë. Skenari i rritjes së mesme nga INSTAT parashikon zvogëlim të popullsisë të moshës poshtë 25 vjeç, që nga 882,903 në vitin 2021, do të arrijë në 788,160 në vitin 2026 si rezultat i uljes së lindjeve dhe migrimit. Mirëpo zhvillimet reale demografike po ecin më keq se skenari i ulët i projeksioneve mbi popullsinë, për shkak se emigracioni po rritet përtej parashikimeve. Ministria e Arsimit, në një strategji që ka ndërtuar për 5 vitet në vijim, thotë se hapësira që po krijohet nga rënia e numrit të nxënësve duhet të sjellë riorganizimin të rrjetit të institucioneve arsimore dhe ristrukturimit më të mirë të financimit për arsim.
Shqipëria vijon të ketë një normë të lartë të braktisjes së shkollës. Ky tregues u përkeqësua gjatë pandemisë. Sipas INSTAT, në vitin 2020, morën pjesë në arsimin 9-vjeçar 93% nxënës të grupmoshës 6-14 vjeç në krahasim me popullsinë përkatëse, përkundrejt 93,9% të tyre në vitin 2019.
Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,6 dhe në atë privat, 13,9. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti është 8,9 në arsimin publik dhe 7,2 në atë privat. Në arsimin e mesëm raporti nxënës për një mësues është 13,4 në arsimin publik dhe 8,9 në atë privat.
Mësuesit: Pandemia ka dëmtuar rëndë njohuritë e tre brezave
Irma Marku, mësuese e gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin “Ismail Qemali”, ndau përvojën personale për disa nga vështirësitë që krijoi pandemia në mësimdhënie.
“Mes nesh, pa mundur të dëgjohemi e me frikën se mund të na rrezikohet pozicioni i punës, e themi tashmë edhe me zë që arritjet mësimore janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme. Kemi të bëjmë me tre breza maturantësh, të cilët kanë shkuar drejt këtij procesi pa marrë formimin e duhur dhe pa mundur të kuptojnë dëmin që u është shkaktuar”, tha Marku.
Sa janë dëmtuar arritjet mësimore nga pandemia?
Gjatë periudhës së pandemisë, e cila pasoi një tjetër periudhë traumatike siç qe ajo e tërmetit, sistemi ynë pësoi lëkundje të fuqishme me magnitutë shkatërruese. Ngrehinën e arsimit të amortizuar tashmë prej vitesh mundën ta mbanin në këmbë vetëm “shpatullat” e mësuesve.
Mes nesh, pa mundur të dëgjohemi e me frikën se mund të na rrezikohet pozicioni i punës, e themi tashmë edhe me zë që arritjet mësimore janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme. Kemi të bëjmë me tre breza maturantësh, të cilët kanë shkuar drejt këtij procesi, pa marrë formimin e duhur dhe pa mundur të kuptojnë dëmin që u është shkaktuar.
A ka dhënë mbështetjen e duhur qeveria në këtë periudhë dhe çfarë duhet të përmirësohet?
Në përgjigjen më sipër, isha radikale, pikërisht për këtë arsye. Arsimi nuk pati asnjë mbështetje qeveritare, asnjë. Përkundrazi. Gjatë viteve të fundit, arsimi parauniversitar në vend është zhvilluar pa asnjë plan afatgjatë apo afatmesëm. Më së shumti kanë mbizotëruar kaosi dhe propaganda. Gjithçka i atribuohej fasadës, dukjes, deri në artikulime të tilla si “kush pyet se ç’bën në klasë?! Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, pandemia e gjeti arsimin pa një bazë të dhënash që kanë të bëjnë me infrastrukturën mësimore, pajisje të teknologjisë, etj.
Çdo gjë paguhej e paguhet me paratë e xhepit të mësuesve e prindërve. Kam pasur nxënës që prisnin prindin të kthehej në orët e vona nga puna për të marrë detyrat, apo shumë të tjerë që nuk mund të aksesoheshin asfare (në Tiranë), po në zonat periferike a rurale, sa mund të ishte kjo shifër, nuk patëm kurrë të dhëna zyrtare reale. Gjithçka duhej fshehur. Ministrja në detyrë atëherë, Shahini, fliste për përqindje të pakonsiderueshme, por a është e ardhmja e një fëmije përqindje?
Të gjendur pa plan e program, mësuesit u detyruan të improvizonin orë mësimore. Me urdhër vertikal, çdo mësues duhej të dilte e “recitonte” mësimin e ditës për t’u hedhur në faqen zyrtare të shkollave apo DAR ZAV-e.
U duk se pati një lloj rikuperimi në vitin shkollor vijues 2020-2021 me orët e mësimit në TV, por që u minua nga e famshmja Akademi.Al, një tjetër aferë ministrore që standardizoi hiçin.
– Ministret, Shahini atëherë dhe Kushi tashmë, injoruan mësuesit duke mos i pyetur, por duke i trajtuar si qenie pa gojë, arsye e ndjenja, thjesht ekzekutues të urdhëresave.
– Mësuesit u lanë në mëshirë të fatit, të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit, ndoshta dhe më shumë se mjekët.
– Mësuesit nuk mund të referoheshin si të infektuar, nuk u mundësohej tamponimi i menjëhershëm (pritja zgjaste deri në 12-13 ditë). Në këto ditë, mësuesi nuk mund të paguhej 100%, por me raport rutinë. Rastet e infektimit të mësuesve u mbajtën fshehur e nuk u referuan.
– Përpos situatës së infeksionit, gjendjes së ngarkuar psiko-emocionale, mësuesve iu dyfishua ngarkesa mësimore, pasi në skenarin dy, klasat u ndanë në grupe, dhe kjo pa marrë asnjë miratim nga stafet pedagogjike.
– Mësuesit nuk u paguan, por u tallën në mënyrën më të turpshme duke kthyer orët në minuta e duke i konvertuar këto në orë të pagueshme.
– Mësuesit u mbajtën në ambientet e shkollave të grupuar deri më datë 15.07.2021, duke shkelur me të dyja këmbët kontratën kolektive të ditëve të pushimit, duke i rrezikuar ata edhe në ditët e verës, kur mësimi e gjithë procesi kishte përfunduar në mënyrë të suksesshme, siç do të shprehej ministrja Kushi.
Nisja e këtij viti shkollor vijoi me një tjetër situatë ngërçi. Mësimi u njoftua nga ministrja se do të niste më herët, pikërisht dy javë në avancë. Në mënyrë të përsëritur, ky njoftim e kjo nisje në shkelje edhe të kontratës kolektive të mësuesve, nuk mori as miratimin e as u shqyrtua me grupe profesionistësh apo stafet pedagogjike. Mësues e nxënës u lanë të grupuar në klasa, nën pretekstin e rikuperimit të njohurive të humbura gjatë procesit të online (proces i suksesshëm, sipas ministres).
Ditë dhe javë të shkuara dëm, pa asnjë konkluzion, përpos lodhjes së kotë të stafeve mësimore. Këto javë kanë pasuar me urdhëresa të pakuptimta. Së pari, duke mos filluar menjëherë me programin mësimor, në këtë mënyrë rikuperonim një pjesë të programit nëse do të kemi një rritje të shifrave e tërheqje përsëri në kushtet e online.
Së dyti, përkufizimi i lëndëve mësimore në “të rëndësishme” e “më pak të rëndësishme”. Disa të pagueshme e disa të papagueshme, por çfarë është më joprofesionalja e jonjerëzorja, mbajtja me detyrim e mësuesve në ambientet e shkollave nga ora 7:45 deri më 13:45, duke mos pasur asnjë lloj distancimi, të grupuar e të rrezikuar për hiçgjënë.
Marrë nga Monitor.al