Shkollë dhe kopsht i ri në Polis, Muzhaqi: Përmirësohen kushtet e edukimit për nxënësit dhe fëmijët

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi bashkë me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor e njëkohësisht drejtues politik socialist për qarkun Elbasan, Arbjan Mazniku, si edhe kryetarin e bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha ishin bashkë sot për të inauguruar shkollën e re në Polis.

“Inauguruam shkollën e re në Polis, e cila do t’u shërbejë nxënësve nga 6 fshatra me kushte moderne: 10 klasa mësimore, laborator shkencor, kabinet informatike, bibliotekë, palestër dhe kopsht për më të vegjlit. Kjo shkollë jo vetëm që përmirëson kushtet e edukimit për fëmijët, por sjell edhe qetësi për prindërit, duke garantuar zhvillimin e duhur të tyre”, thuhet në postimin e ministres në rrjete.

Muzhaqi, pak ditë më parë njoftoi edhe nisjen e punimeve për Qendrën Rinore në Librazhd që është pjesë e nismës mbi të cilën përfitojnë mbi 100 mijë të rinj që jetojnë në bashkitë Fier, Mat, Malësi e Madhe, Librazhd, Sarandë dhe Korçë. Fokusi i këtyre projekteve është rikonstruktimi apo ndërtimi i një qendre rinore për qytetin, të konceptuara edhe si hapësira shumëfunksionale, ku të rinjtë angazhohen në trajnime, kurse të ndryshme, teknologji, sipërmarrje, këshillim karriere, debat, lexim, dhe për aktivitete të ndryshme rinore e bashkëbisedime.

Edhe bashkia Librazhd do të ndërtojë një qendër rinore e cila do të ndikojë 962 të rinj, që do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e shumë mundësive për të rinjtë, me klubet e debatit, artit, kulturës, teknologjisë së informacionit dhe leximit, duke krijuar një hapësirë të sigurtë për të rinjtë e qytetit.

SHKARKO APP