Shkrimtari Ismail Kadare humb vëllain, ndërron jetë mjeku i njohur onkolog
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka ndërruar jetë pas një beteje më pak se 1-vjeçare me një sëmundje të rëndë, mjeku onkolog Shahin Kadare, vëllai i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
Lajmin e ka konfirmuar e bija e të ndjerit përmes një postimi në facebook, ku njofton miqtë dhe të afërmit se ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e sotme në orën 15:00.
“Me hidhërim njoftojmë ndarjen nga jeta të të dashurit tone Shahin Kadare. Varrimi behet diten e enjte, dt 18. 11. 2021, ora 12.00 ne Tufine.
Ceremonia mortore do te zhvillohet ne ambientet e Funerale Home ALBA 2000, rruga e Dibres, Nr. 302, prane Medresese, te merkuren ora 15.00- 20.00 dhe te enjten ora 9.00- 12.00.
Vizitat do te zhvillohen diten e premte deri te dielen, paradite nga ora 10.00 – 13.00 dhe mbasdite nga ora 16.00 – 20.00 ne ambjentet e Piazza”, shkruan vajza e të ndjerit.
Kush është doktor Shahin Kadare
Ai është një nga të parët doktore të Shkencave në fushën e mjekesise, me një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet onkologjike, si referues në dhjetra konferenca dhe kongrese ndërkombëtare shkencore. Ai ka botuar studimet e tij shkencore në revistat më të njohura të mjekësisë në botë.
Doktor Shahin Kadare fillimisht u diplomua në vite ’60 në Tiranë dhe më pas kreu një specializim në Rumani. Ndershmëria, përkushtimi dhe profesionalizimi i tij, e kthyen atë në një autoritet të padiskutueshëm shkencor në fushën e onkologjisë.
Ai është themelues i Laboratorit të Morfologjisë Patologjike dhe ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e kësaj dege të mjekësisë në Shqipëri, përmes diagnostifikimit mikroskopik të tumoreve. Ai arriti të krijoje në bashkëpunim me kirurgët shqiptarë të kohës, skemën e trajtimit operativ të tumoreve, duke verifikuar rrezikshmërinë e tyre qysh gjatë operacionit.
Ai është një nga themeluesit e Partisë Demokratike në vitin 1990, dhe një nga kritikët e parë të mëdhenj të lidershipit të saj si refuzues i autoritarizmit post-komunist.
Ai shërbeu për disa vite, pas vitit 1997 si ambasador i Shqipërisë në Suedi dhe vende të tjera, por iu rikthye sërisht profesionit të mjekut.
Doktor Shahin Kadare është vëllai i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, me të cilin pat ndërtuar një raport të rrallë njerëzor dhe intelektual.
KOHA JONË SONDAZH

