Shkrirja e Albanologjisë, Gjinushi: Asnjeri nuk ikën nga detyra, s’ka vend pune pa CV
Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka folur në lidhje me vendimin për ngritjen e dy komisioneve që do të marrin në shqyrtim punonjësit shkencorë të Albanologjisë. Gjinushi u shpreh se synimi i kësaj lëvizjeje është që sistemi shkencor në vend të ringrihet pasi sipas tij mungojnë kapacitetet e duhura.
Pas shkrirjes së Albanologjisë, ai thekson se askush nuk do të ikë nga puna, por nuk mund të ketë vend pune pa dorëzimin e CV-ve, të cilat planifikohet se do të shqyrtohen nga komisionet vlerësuese përkatëse.
“Gjithë synimi është që sistemi shkencor në vend të ringrihet pasi mungojnë kapacitetet e duhura. Financimi për shkencën është i pamjaftueshëm. Ne duhet të fillojmë fuqizimin e atyre që kemi dhe t’i ngrejmë të reja fillimisht. Qëllimi është që duke bashkuar forcat, sepse nuk kemi luksin që çdo institut të punojë veçmas. Akademia e Shkencave është krijuar me qëllim për zhvillimin e shkencave albanologjike. Statuti po shkruhet nga 2-3 vetë. Njëri është rektori dhe dy të tjerë. Statuti i ri është më i mirë se tjetri. Emrat nuk i kam parasysh”, u shpreh ai mes të tjerash.