Shkrirja e Gjykatave/ Dhoma e Avokatisë: Drafti i njëanshëm, kosto financiare për qytetarët
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ardhur me një propozim të fortë, që lidhet me riorganizim e gjykatave në Shqipëri, ose më saktë me shkrirjen më shumë se gjysma e 34 gjykatave në mbarë Shqipërinë. Përmes një letre dërguar Ministrisë së Drejtësisë, KLGJ-ja thotë se nga 34 gjykata, duhet që të mbeten vetëm 15 në vend, si edhe një gjykatë Apeli.
Këtë propozim Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë nuk e mbështet. Kryetari Maksim Haxhia, thotë se drafti i KLGJ-së është i pastudiuar dhe i njëanshëm dhe se duhet të bëhet pjesë e diskutimeve me të gjithë aktorët. Për të ulja e numrit të gjykatave do të sjellë edhe kosto financiare për qytetarët.
“Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë e njohur nëpërmjet mediave lidhur me draft hartën e gjykatave të nivelit të parë dhe atyre të apelit, mbart shqetësimin shumëdimensional lidhur me këtë draft harte. Draft i cili është në injorim të plote te mosthithjes së opinionit të grupeve të interesit ku në vend parësor është Dhoma e Avokatisë në të dy nivelet, në atë kombëtar dhe lokal.
Njohja indirekt me këtë draft hartë është gjithashtu një proces i cili nuk i është nënshtruar një diskutimi tërësor dhe në detaje të të gjithë problematikave që dalin në pah lidhur me miratimin dhe vënien në zbatim të këtij projekti. Ky projekt sipas mendimit tonë paraprak krijon pasoja të renda si në organizim si në ushtrimin juridiko profesional të të gjithë aktorëve në proces duke filluar nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe subjektet fizikë dhe juridikë pjesëmarrës në proceset gjyqësore, pa përmendur këtu probleme shumë të mëdha dhe delikate të infrastrukturës.
Ju bëjmë thirrje dhe këkrojmë që ky draft hartë të bëhet objekt i diskutimeve të detajuara me pjesëmarrjen e gjithë aktorëve të drejtësisë pa përjashtuar edhe shoqërine civle për shkak të aksesit në gjykata të publikut si dhe kostove financiare të renduara që pas sjell ky draft për publikun”, thuhet në reagim.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ka cilësuar vendim drastik, që nuk i shërben qytetarëve. Për të harta e re gjyqësore duhet të bëhet në bashkëpunim mes KLGJ-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. Po ashtu ajo tha se nuk kanë rënë dakord në 3 pika të rëndësishme që janë shkurtimi i gjykatave, krijimi i një Gjykate të vetme Apelit si edhe mënyrës së funksionimit të degëve të Gjykatave.