Shkuan për vrasje, jo për gjyq pasi vajza i dha babait armën. Fëmijët kundër nënës: Na ka dhunuar

Në seancën e 4 qershorit, Dhurata Saliaj dhe babai i saj, Maxhit Picari nuk ishin përgatitur për gjyq, por për të kryer vrasje. Ky është konkluzjoni paraprak që ka dalë Policia dhe Prokuroria e Tiranës, e cila prej tre ditësh është duke kryer veprime hetimore për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Kudret Saliaj, ndodhur në ambjentet e një lokali të njohur pranë Gjykatës së Tiranës.

”Babë e bijë kanë organizuar vrasjen. Armën e mbante në çantë Dhurata Saliaj. Në të njëjtën tavolinë ku ishte viktima, ishte dhe Dhurata, psikologia dhe avokati. Dhurata u largua në të njëjtin drejtim me të atin. Maxhit e hodhi armën në lumin Lana”. Mësohet se atë e bijë kanë dhënë dëshmi kontradiktore në polici, ndërkohë që një ditë përpara ngjarjes ka pasur edhe një konflikt të ashpër verbal mes Dhurata dhe të afërmve të Kudret Saliajt, pas pretendimit për humbjen e disa bizhuterive.

Në orën 11:52, Mexhit Picari dhe vajza e tij janë ulur në të njëjtin bar dhe pas momentit që janë ulur, Dhurata është ulur me shpinë. Vetëm 48 sekonda më vonë, Dhurata është zhvendosur më pranë babait të saj dhe ka afruar një send si një çantë krahu grash dhe duket që Mexhit Picari prek këtë çantë dhe nxjerr armën tip pistoletë, ka ecur drejt tavolinës ku ndodhej Saliaj dhe ka qëlluar drejt dhëndrit të tij dhe avokatit Cama. Më vonë është vënë re të lëvizë edhe Dhurata Saliaj. Kanë marrë shërbimin taksi dhe janë larguar deri sa u arrestuan.

Mexhit Picari ka qëlluar plot 4 plumba në kokë dhe gjoks dhëndërin e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa ka qëlluar me një plumb në shpatull dhe avokatin Adriatik Cama, që më parë ka shërbyer si prokuror në Tiranë. Prokuroria ka kërkuar ”arrest me burg” për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Dënimi për këtë parashikohet jo më pak se 20 vjet burg dhe deri në burgim të përjetshëm. Gjykata do të caktojë nesër masën e sigurisë.

Shumë pranë vendit të krimit, në një lokal tjetër ka qënë prezent djali i madh i Dhurata dhe Kudret Saliaj, i cili nuk ka parë skenën e krimit, por ka treguar se babai i tij, para vrasjes i kishte thënë ”merri këto lekët dhe ik shko pi kafe në një lokal tjetër”. Këtë gjë sipas djalit, babai ja tha pasi nuk donte që ai të qëndronte në të njëjtin ambient ku ishin ulur nëna e tij dhe gjyshi. Autori i krimit Mexhit Picari, ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar se vrasjen e kishte kryer në kushtet e ofendimit që dhëndri i tij i kishte bërë mes shumë persona të tjerë të pranishëm në ambjentet e lokalit.

Fëmijët janë kundër nënës. Vajza thotë se Dhurata sillej keq, më së shumti me vëllanë e vogël që “e ka goditur mes të tjerave me bërryl në pjesën e vetullës dhe i ka thënë se nuk duhet që t’i tregonte babait se do e hidhte nga ballkoni”. Nga ana tjetër, çifti kanë akuzuar njëri-tjetrin për tradhti bashkëshortore dhe për një detaj të tillë flet dhe djali i vogël. Ai thotë se ka lexuar mesazhe në celularin e nënës së tij që i thoshte të dua dikujt dhe i kërkonte që të takoheshin, dhe prandaj e rrihte pasi i kishte zbuluar këto biseda.

SHKARKO APP