“Shmangni Astir 2!” – Projekti i ri i Lanës, deputetët: Preken 238 banesa, kompensim për të palegalizuarat

Me një kosto totale prej 24 mln euro Bashkia e Tiranës parashikon rehabilitimin e lumit Lana nga ura e shkollës teknologjike deri te kryqëzimi me Unazën e Madhe. Segmenti ka një gjatësi prej 1.8 km, ndërsa financimi parashikohet të kryhet në masën e 14 mln euro nga buxheti i bashkisë, 8 mln euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, ndërsa 2.4 mln euro grant i kësaj banke.

Por teksa në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese diskutohej miratimi i kredisë, deputetët e mazhorancës dhe opozitës kërkuan zgjidhje për 238 banesat që preken nga zbatimi i projektit, duke theksuar shmangien e një situate të ngjashme me zonën e Astirit në Unazën e Madhe.

Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku tha se vetëm 25 shtëpi kanë akte pronësie, ndërsa pjesa tjetër do të trajtohet me 3 programe strehimi.

Sipas Maznikut, shpronësimi për banesat e legalizuara është i pamundur për shkak të pengesave ligjore, ndërkohë që deputetët propozuan miratimin e një ligji të veçantë, që të trajtojë me kompensim çdo familje që preket.

Komisioni miratoi financimin e projektit, ndërkohë që do të jenë ditët në vazhdim që do të tregojnë nëse  një nismë e tillë do të ndërmerret zyrtarisht.

SHKARKO APP