Shoferët bllokojnë këmbësorët në vijat e bardha, flet eksperti
Të kalosh vijat e bardha, si këmbësor, në Tiranë, është mision i vështirë dhe mjafton një vëzhgim i thjeshtë për ta konstatuar këtë.
Drejtuesit e automjeteve, të ndikuar nga prania e kamerës, në shumicën e rasteve e ulnin shpejtësinë, por dikush tjetër rrezikon seriozisht jetën e kalimtarëve.
Kodi Rrugor përcakton qartësisht se kalimtarët kanë përparësi te vijat e bardha, por mesa duket drejtuesve të automjeteve u duhet ende kohë të ndërgjegjësohen.
Për të folur për këtë fenomen shqetësues në vendin tonë, gazetari i A2, Mariglen Mulla, zhvilloi një intervistë në “Dita Jonë” me ekspertin e sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha.
“Situata ka një përmirësim të ndjeshëm edhe pas masave të marra. Me shtimin e sinjalistikës, por edhe me masat e vendosura nga policia. Fakti që ne kemi 7 apo 8 raste në vit kur qytetarët humbin jetën teksa janë duke kaluar mbi vijat e bardha, atëherë kjo tregon se problematika vazhdon të jetë serioze”, tha eksperti, Gëzim Hoxha.