Shoferi nuk frenoi para përplasjes. Aksidenti që ndau motrat, njëra vdiq e tjetra po lufton për jetën

Tragjik është aksidenti në dalje të tunelit të Elbasanit mbrëmjen e së dielës. Katër shoqe ishin në një makinë dhe nga përplasja e fortë dy prej tyre humbën jetën, ndërsa dy të tjerat janë rëndë në spital. Sipas ekspertëve auto-teknikë, shoferi Behar Pema, goditi nga pas makinën ku po udhëtonin katër vajzat, ishte me shpejtësi 160 km në orë dhe mbi të gjitha thuhet se ai nuk ka frenuar.

Detaji i fundit vjen nga ekpertët të cilët studiuan vendin e ngjarjes, e sipas tyre nuk janë gjetur shenja frenimi në vendngjarje. Shoferi i mjetit kishte bërë manovra që në hyrje të tunelit dhe lëvizte nga një anë në tjetrën para se të përplasej me makinën ku ishin katër vajzat. Aksidenti ndodhi në aksin Tiranë-Elbasan, e në atë moment vajzat ishin rrugës për në Korçë. Pema rezultoi i dehur në testin e alkoolit të kryer menjëherë pas ngjarjes dhe u vu në pranga nga policia.

Denisa Dibra, 25-vjeç është një nga të plagosurat e aksidentit. Shoqet do të shkonin në Korçë për të festuar datëlindjen e saj por festa u kthye në tragjedi. Ajo ishte edhe drejtuesja e mjetit ”Volkswagen” dhe është vajza e gazetarit sportiv të RTSH-së në Shkodër, Edmond Dibra. E plagosura tjetër është Nervida Garunja, 24-vjeç, e cila pas aksidenti ka mundur të dëshmojë se drejtuesi i mjetit “kryente manovra në rrugë, ecte dhe nuk mbante drejtimin”. Nga aksidenti mbetën të vdekura Lusinda Garunja, 19-vjeç dhe Xhaneta Qallia, 18-vjeç, të cilat ishin pasagjere në pjesën e pasme të makinës, nga ku erdhi dhe goditja e fortë e makinës tip “Benz”. Lusinda Garunja dhe Nervida Garunja ishin motra mes tyre, por fati i ndau në moshë tepër të re.

Denisa Dibra dhe Nervida Garunja janë në terapi intensive në Spitalin e Traumës. Ata kanë marrë dëmtime në të gjithë trupin dhe janë në monitorim dhe vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët. Mjekët ende nuk mund të përcaktojnë nëse e kanë kaluar apo jo rrezikun për jetën.

Sipas autoriteteve, aksidentet në Shqipëri shkaktojnë 5 herë më shumë viktima se krimi dhe rastet ku problemi është alkooli, janë shtuar. I shpallur si viti i sigurisë rrugore, 2020 nuk ndryshon shumë nga vitet e mëparshme ku kurba e aksidenteve vijon të jetë në rritje. Numri i automjeteve në lëvizje u ul për shkak të pandemisë por nuk rezultoi kështu për aksidentet e rënda. Vetëm gushti la pas një bilanc me 195 aksidente dhe 24 viktima sa i përket ngjarjeve rrugore. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2019 u regjistruan mbi 1498 aksidente rrugore, ku humbën jetën 227 persona. Pjesa më e madhe e rasteve kanë ndodhur si pasojë e pakujdesisë së drejtuesve të mjeteve.

Në shkurt të këtij viti, u mbajt konferenca e nivelit të lartë mbi sigurinë rrugore, ku ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se ka ardhur momenti që në Shqipëri të ketë ndjeshmëri për ngjarjet rrugore. ”Aksidentet në rrugë janë një vrasës i heshtur dhe pasojat e tyre kalojnë pa u vënë re shumë. Rënia e një avioni të madh me pasagjerë është një ngjarje shumë e rrallë dhe nëse fatkeqësisht ndodh, merr vëmendjen e gjithë botës, ndërkohë që aksidentet në rrugë vrasin pa rënë shumë në sy”, tha Lleshaj.

SHKARKO APP