Shoferi që shkaktoi aksidentin e frikshëm pranë RTSH, nipi i zyrtarit të OFL-së kishte 43 gjoba por edhe patentë
Në rrugën pas kryeministrisë dhe pranë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, ndodhi një aksident, ku drejtuesi i automjetit tip BMW, nipi i një prej zyrtarëve të OFL-së, Arben Dashit, u përplas me një automjet tip “Skoda”.
Në vijat e bardha që ndodhen aty, shpëtuan mrekullisht dy kalimtarë. Policia e Tiranës, nuk pati asnjë reagim zyrtar për ngjarjen.
Stiveljan Dashi, drejtuesi i BMW-së, është ndëshkuar 43 herë për shkelje të rregullave, si hyrje me semafor të kuq apo edhe tejkalim shpejtësie dhe ende qarkullonte me patentë. Sistemi i pikëve për lejen e drejtimit, për të nuk ka funksionuar. Në aksidentin ku Dashi rrezikoi dy kalimtare, ai u ndëshkua vetëm me një gjobë prej 150 mijë lekësh të vjetra. Aksidenti që ai shkaktoi ishte tepër i rrezikshëm. Këtë e tregon edhe një prej dëshmitarëve të ngjarjes.
“Po vija nga kryeministria për të ikur tutje. Në moment pash që u përplas. Aty ishte një katrahurë e madhe. Njerëzit po iknin të lebetitur. Ç’kuptim ka, si mund të shkojë me një gjobë ky? Kush është ky?” rrëfen një dëshmitar.
Eksperti i sigurisë rrugore Arben Luzi, thotë se mjeti ka qenë disa herë më shpejt se shpejtësia e lejuar në atë rrugë: “Ai është një aksident shumë i rëndë. Fati i madh i atyre njerëzve që po kalonin, i atyre drejtuesve që po vinin nga Stadiumi Arena. Mjeti ka qenë me shpejtësi 150 km/h. Kur duhet të dimë se në bazë të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kodit rrugor, shpejtësia maksimale e lejuar në qendrat e banuara është 40 km/h”.
Eksperti Luzi, thotë se tashmë drejtuesit të mjetit i është hequr leja e drejtimit dhe se ka nisur një hetim ndaj tij.
“Pra personi aktualisht duhet të jetë pa leje drejtimi. Pra i është dhënë një procesverbal që e ka të sekuestruar lejen e drejtimit dhe pas shprehjes së organeve të drejtësisë, do të shprehet edhe organi tjetër administrativ, për vendosjen e sanksionit plotësues, pezullimin e lejes së drejtimit”, thotë Luzi. TCH