Shoqata e Basteve sfidon Ramën: As Enver Hoxha se hoqi dot kumarin. Do vazhdojë edhe pas 1 janarit
Shoqata e Basteve ka reaguar ndaj projektit të qeverisë përmbylljen e lojërave të fatit. Drejtuesit e shoqatës kërkojnë që të dëgjohen propozimet e tyre, ndërsa shtojnë se nxjerra e jashtëligjshme e lojërave të fatit nuk i shmang bastet.
Shoqata parashikon se lojërat e fatit, me hyrjen në fuqi të ligjit do të jenë sektori ku do të investojë krimi i organizuar.
Deklarata e plotë:
Ditët e fundit ka një valë të shtuar propagande deri në nivelet e institucioneve ekzekutive e ligjëbërëse, në lidhje me aktivitetin e Lojërave të Fatit dhe Basteve Sportive në Republikën e Shqipërisë si edhe pasojave të mundshme të tyre në aspektin social.
Gjithçka kulmoi me një paralajmërim zyrtar për mbylljen e tyre në 1 janar të vitit 2019.
Në këto kushte ne si subjekte Baste Sportive; jemi të detyruar të japim disa sqarime për opinionin e gjërë por edhe për politikën.
Ju bëjmë me dije se Bastet Sportive janë lojëra fati që ekzistojnë kudo në botë, në të gjitha kontinentet dhe me to luajnë e argëtohen, fitojnë dhe humbasin burra e gra, të rinj dhe të reja. Ato nuk lindën për herë të parë në Shqipëri, dhe nuk i sollën kompanitë e basteve mes shqiptarëve. Ato kanë ekzistuar edhe gjatë periudhës së monizmit dhe do të ekzistojnë sa kohë të ketë sport të organizuar. Basti sportiv është loja më sociale mes kategorisë së lojërave të fatit ku mund të marrësh pjesë me një kosto minimale financiare dhe të argëtohesh për një periudhë maksimale. Organizimi i tyre me ligj sjell rregullim, kontroll të efekteve të dëmshme dhe bie të mira për gjithë komunitetin në formën e dhjetra mijëra vendeve të punës aq të nevojshme për ekonominë tonë, dhjetra milionë Euro taksave të paguara çdo vit, qarkullimit të qindra milionë Euro në mallra dhe shërbimeve etj..
Ajo ç’ka duam ne që t’i bëhet e ditur publikut të gjerë është fakti që nxjerrja e tyre jashtë ligjit, nuk do të thotë se ato do të pushojnë së ekzistuari. Duhet të jemi të qartë që bastet edhe pas daljes jashtë ligjit do të vazhdojnë të ekzistojnë, ashtu siç kanë ekzistuar dhe më parë kur kanë qënë të jashtligjshme. Ajo që nxjerrja jashtë ligjit do të bëjë është kalimi i kësaj industrie nga bota e ligjit dhe rregullimit ligjor që është sot, në botën e nëndheshme të krimit , e cila do të vijë me pasoja jo të vogla për shoqërinë shqiptare. Organizimi i tyre jashtë kuadrit ligjor, do të rrisë kriminalitetin, do të forcojë krimin e organizuar si edhe do të mundësojë eksodin jashtë vendit të valutës.
E ndërsa të gjitha këto do të ndodhin në rrafshin social, në rrafshin ekonomik do të shkatërrohet një strukturë aq e dobishme dhe efiçente që ekonomiksi i basteve sportive prodhon çdo ditë për shoqërinë dhe ekonominë tonë. Në momentin kur industria e basteve do t’i kalojë botës së nëndheshme të paligjshmërisë, dhjetë mijë njerëz do të humbasin vendin e tyre të punës dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, katër mijë pika shërbimi do të humbasin kontratat e tyre të qirave të cilat janë ndër më të lartat në treg, dhjetë mijë të punësuar indirekt në zinxhirin ekonomik që kjo industri prodhon, duke filluar nga nënkontraktorët tanë si elektriçistet, kompanitë IT, printim reklamash, e që vazhdojnë deri tek importuesit e aparateve TV, do të humbasin të ardhurat e tyre
Në momentin që kjo industri do t’i kalojë botës së nëndheshme shteti do të humbasë rreth 45 milionë Euro të ardhurat që siguron çdo vit në formë taksash dhe sigurimesh shoqërore, bashkitë do të humbasin rreth 3 milionë Euro çdo vit dhe njëkohësisht do të shtohet me mijëra Euro shpenzimi për fondet e ndihmës sociale dhe papunësisë.
Dhe ndërsa të gjitha këto përfitime që sot shoqëria dhe shteti merr do të humbasin, plaga sociale do të jetë aty, njëlloj e thellë – me njerëzit që do të vazhdojnë të luajnë po njëlloj, me të njëjtat drama sociale – por tashmë më e gjerë në gamë, pasi aty tashmë do të përfshihet dhe rritja e kriminalitetit (kërcënimet, konfliktet e deri dhe vrasjet) dhe financimi i krimit të organizuar me paratë e kësaj industrie.
Të vetdijshëm për gjithçka do të ndodhë, ne kërkojmë që të gjithë aktorët e përfshirë të reflektojnë, duke mos përdorur një çështje kaq delikate thjesht për përfitim politik të momentit. Qasja populiste me veprime të pamenduar në të tilla çështje, është e sigurtë që mund të sigurojë disa vota më shumë në një palë zgjedhje, por as që nuk krahasohet me dëmin masiv dhe me shtrirje në një periudhë afatgjatë që do t’i shkaktojë shoqërisë dhe shtetit. Ne besojmë se zgjidhjet nuk gjenden duke akuzuar, sharë biznesin dhe ndërmarrje veprimesh arbitrate, por duke bashkëpunuar në funksion të ndërtimit të një kuadri ligjor sa më modern dhe që respekton e ka në vëmendje maksimale mirëqënien dhe qetësinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Për këtë arsye, ne i kemi kërkuar zyrtarisht Kuvendit që të thirremi e të dëgjohemi si grup interesi ashtu sic e parashikojnë edhe procedurat parlamentare, dhe do të ndjekim cdo rrugë institucionale që na lejon ligji dhe Kushtetuta për të përfaqësuar të drejtat tona dhe të punonjësve tanë.
Në pritje të mirëkuptimit për ndërtimin e një ure dialogu!
KOHA JONË SONDAZH

