Shoqata Shqiptare e Bankave thirrje qytetarëve: Kujdes nga telefonatat mashtruese që kërkojnë të dhënat bankare

Shoqata Shqiptare e Bankave ka njoftuar publikun mbi disa raste të fundit të telefonatave mashtruese të realizuara përmes teknologjisë VOIP (telefonata përmes internetit), përmes të cilave individë të paautorizuar tentojnë të përfitojnë të dhëna bankare dhe informacione personale nga qytetarët.

Sipas njoftimit, në ditët e fundit janë raportuar telefonata që vijnë nga adresa me prapashtesa si “@gmail” apo platforma të tjera, ku përdoret emri i një banke. Në disa raste, në ekranin e telefonit mund të shfaqet emri ose logoja e bankës, duke krijuar përshtypjen se telefonata është zyrtare, ndërkohë që bëhet fjalë për një përpjekje mashtrimi.

Shoqata sqaron se këto telefonata realizohen përmes internetit dhe identiteti i vërtetë i telefonuesit nuk mund të verifikohet përmes adresave të tilla. Gjatë komunikimit, personat që telefonojnë mund të flasin në gjuhë të ndryshme dhe të kërkojnë të dhëna të kartës bankare, PIN-in, kodet e sigurisë apo informacione të tjera konfidenciale, me pretendimin për ndalimin e veprimeve të dyshuara në llogarinë e klientit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shoqata Shqiptare e Bankave rikujton se bankat në Shqipëri nuk kërkojnë kurrë përmes telefonit të dhëna të kartës bankare apo informacione të tjera sensitive. Qytetarët këshillohen që, nëse marrin një telefonatë të dyshimtë, të mos ndajnë asnjë informacion personal, të ndërpresin menjëherë komunikimin dhe të kontaktojnë bankën e tyre vetëm përmes numrave zyrtarë të publikuar nga institucioni përkatës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Po ashtu, çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet menjëherë pranë bankës përkatëse. Shoqata dhe bankat anëtare theksojnë angazhimin për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e klientëve nga përpjekjet për mashtrim financiar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?