Shoqërimi i gazetarit të RTV Ora, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi: Policia tejkaloi rregullat dhe ligjet
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda reagon lidhur me shoqërimin nga policia të gazetarit të RTV Ora, Xhoi Malësia.
Në një deklaratë për mediat ai shprehet se shoqërimi i gazetarit ka qenë joproçedurial, ndërsa shton se përdorimi i forcës ndaj personave që identifikohen si gazetar, të paangazhuar në ngjarje të dhunshme dhe që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet, është tejkalim i rregulloreve dhe ligjeve që normojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit.
Sipas Komisionerit, “nuk është hera e parë që efektivë të Policisë së Shtetit përfshihen në situata që tejkalojnë përdorimin e ligjshëm të forcës dhe për këto raste kemi reaguar publikisht”.
Deklarata për mediat:
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u njoh nga mediat për shoqërimin jo proçedural të gazetarit Xhoi Malësia, gjatë raportimit për incidentet në Tiranë.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson se përdorimi i forcës ndaj personave që identifikohen si gazetar, të paangazhuar në ngjarje të dhunshme dhe që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet – është tejkalim i rregulloreve dhe ligjeve që normojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit.
Nuk është hera e parë që efektivë të Policisë së Shtetit përfshihen në situata që tejkalojnë përdorimin e ligjshëm të forcës dhe për këto raste kemi reaguar publikisht.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi garanton se institucioni i KMD do të jetë në krah të respektimit të të drejtave të Njeriut dhe fton qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë paqësore.
Gazetari Xhoi Malësia u shoqërua dhunshëm nga policia teksa ishte duke filmuar me celularin e tij atë çfarë po ndodhte pranë Komisariatit nr.2 në kryeqytet. Edhe pse e përsëriti disa herë faktin e të qenurit gazetar ai u mbajt për rreth 2,5 orë në ambjentet e policisë.
Për shoqërimin e tij reaguan ashpër kolegë gazetarë, shoqatat e gazetarëve, politikanë etj.