Shpejtësia mori 2 jetë në trotuar, eksperti: Dy shoferët shkelën rregullat e qarkullimit

Ekspertët rrugorë shprehen se aksidenti automobilistik që u mori jetën 2 personave që po ecnin në trotuar në rrugën “Xhanfize Keko”, është shkaktuar si pasojë e shkeljeve të qarkullimit rrugor nga ana e 2 drejtuesve të mjeteve. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se drejtuesit e automjeteve nuk kishin konsumuar alkool, ndërsa shkak dyshohet të jetë bërë parakalimi i gabuar dhe shpejtësia e lartë.

Ky është automjeti që pasditen e së enjtes drejtohej nga 31-vjeçari, Etjon Lazri, i cili bëri një parakalim të gabuar në rrugën “Xhanfize Keko” dhe u përplas me këtë automjet që drejtohej nga 36-vjeçari Edmond Murati, duke shkaktuar 2 viktima.

Viktimat janë Erion Balla 36 vjeç dhe Hidajete Salliu, 72 vjeçe, të cilët gjetën vdekjen nga përplasja e 2 automjeteve, teksa po ecnin në këtë trotuar.

Një ditë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes ku humbën jetën 2 personat, janë vetëm këto lule të vendosura nga familjarët.

Për ekspertin rrugor, Gëzim Hoxha, aksidenti vjen si pasojë e shkeljeve të qarkullimit rrugor.

Hoxha:  Janë ekspresivë, të shpejtë dhe pak të nxituar në qarkullim.

Hoxha shprehet se kryqëzimi është në parametrat e duhur, teksa thekson se të dy drejtuesit e automjeteve kanë shkelur rregullat e qarkullimit.

Hoxha: Drejtuesi i mjetit që vinte nga larg dhe donte të bënte manovër për tu kthyer majtas, duhej të afroheshe në vijën ndarëse të rrugës, të bënte ndalimin e plotë, të kontrollonte me pasqyra rrugën prapa dhe pastaj të bënte manovër për tu kthyer. Po ashtu drejtuesi i automjetit tjetër i cili është futur në parakalim nuk duhet të ishte futur në parakalim sepse këtu kemi të bëjmë me një kryqëzim rruge.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Rtv ORA, se drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident nuk kishin konsumuar alkool, ndërsa shkak mësohet të jetë parakalimi i gabuar dhe shpejtësia tej normave të lejuara.

Të pyetur nga hetuesit, 2 shoferët kanë pohuar se nuk mbajnë mend si ndodhi aksidenti, ndërsa njëri prej tyre, Etjon Lazri, është shprehur se nuk ka mundur të frenojë kur ka parë se automjeti tjetër ishte në kthesë.

SHKARKO APP