Shpërblimi për festat e fundvitit, drejtori i ISSH tregon si do të bëhet shpërndarja për pensionistët
Ministria e Financave ka akorduar një fond prej 3.4 miliardë lekësh të reja të cilat do të vihen në dispozicion për shpërblimet e festave të fundvitit për pensionistët e të gjitha kategorive.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado i ftuar në Ora News tha se shpërblimi për festat e fundvitit do të jetë 5 mijë lekë të reja dhe se shpërndarja do të bëhet sipas grafikut të Postës Shqiptare.
Astrit Hado për Ora News: Shpërblimi për vitin e ri do të jetë në masën 5 mijë lekë të reja për çdo pensionist dhe numri i personave që e përfitojnë është 678 mijë pensionistë të të gjithë kategorive. Fondi i akorduar është 3.4 miliardë lekë të reja. Sot është dita e parë që ka filluar procesi i shpërndarjes së shpërblimit . Pensionet merren nga data 1 deri në 31 prandaj marrja e bonusit për ata pensionistë që e kanë marrë pensionin do të bëhet sipas grafikut të postës shqiptare. Nesër bonusin mund ta marrin dhe ata pensionistë që e kanë tërhequr pensionin në datën 3 dhe 4 dhjetor dhe me radhë në ditët në vazhdim sipas grafikut.
Kreu i ISSH tha se jo domosdoshmërisht shpërblimi duhet tërhequr deri në datën 31 pasi afati i tërheqjes është 36 muaj njësoj si afati për pensionet e pa tërhequra.
Astrit Hado për Ora News: Bonusi jo domosdoshmërisht duhet të tërhiqet deri në 31 dhjetor. Këtë të drejtë pensionistët e kanë për ta marrë dhe në janar shkurt e mars. Madje e drejta e tërheqjes së këtij bonusi është 36 muaj njësoj si pensionet e caktuara të pa tërhequra. Pra asnjë njëri që nuk ka mundësi ta tërheqë këto ditë nuk e humbet. Të gjithë ata pensionistët që nuk e kanë të domosdoshëm për ta marrë bonusin ose janë jashtë e kanë fondin dhe të mos tremben deh të thonë do na humbasë. Për pensionistët të cilët jetojnë në zonat rurale dhe nuk kanë mundësi ta tërheqin në bankë ose në postë, posta shqiptare ua sjell me postier.
Hado tregoi mënyrën sesi do të bëhet shpërndarja e pensioneve në fshatra por dhe mënyrat e shpërndarjes në qytet.
Astrit Hado për Ora News: Pensionet në fshatra paguhen pas datës 17-18 dhe është momenti i duhur që njëkohësisht që shpërndan këstin mujor të pensionit do ju japë dhe bonusin dhe bëhet fjalë për 140-150 mijë pensionistë shqiptarë. Në qytet ka dy mënyra për shpërndarjen, njëra duke i paguar fizikisht në sportel dhe duke ia dërguar dhe në banesë.
KOHA JONË SONDAZH

