Shpërndahet nëpër spitale e Londrës vaksina kundër COVID-19

Pas njoftimit të Britanisë së Madhe për fillimin e vaksinimit kundër koronavirusit, spitalet filluan të marrin dërgesat e para të vaksinave për t’u përdorur në ditët në vijim.

Spitali Universitar Croydon në jug të Londrës ishin të parë të cilët morën një dërgesë vaksinash nga Pfizer.

Një nga mjekët e spitalit, Louise Coughlan tha se kjo dërgesë përfaqëson një moment historik për Anglinë.

“Ky është një moment i mahnitshëm. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar po planifikon të zbatojë programin më të madh të vaksinimit në historinë e këtij vendi, kështu që ne jemi vërtet të lumtur për këtë. Kur e dimë se jemi ndër të parët që marrim dërgesat e këtyre vaksinave në Britani dhe për këtë arsye i pari në botë, ndjenja është e mahnitshme dhe jam me të vërtetë krenar për punën që kemi bërë”, tha Coughlan.

Javën e kaluar Britania miratoi përdorimin emergjent të vaksinës kundër coronavirusit nga Pfizer dhe BioNTech.

Britania ka porositur 40 milionë doza ku secili person duhet të marrë nga dy doza të vaksinës, e cila mendohet se është e mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë njerëz në të gjithë vendin.

Brenda javës së parë pritet të jenë në dispozicion rreth 800 mijë doza të vaksinës.

SHKARKO APP