Shpërthen në kritika ish-kreu i uniformave blu: Policia mbylli sytë dhe bashkëpunoi me krimin

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, është treguar mjaft i ashpër, teksa komentoi ngjarjet e rënda kriminale, që kanë ndodhur përgjatë vitit 2019.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, ish-kreu i policisë sulmoi ashpër Policinë e Shtetit, që sipas tij, nuk po bën më misionin e saj, por po bashkëpunon me krimin e organizuar.

Jo për të ngjallur panik te njerëzit, por situata është problematike dhe komplekse. Po të analizojmë ngjarjet, janë shumë të rënda, sidomos të fundit, që lidhen me të shkuarën kriminale të aktorëve, që përplasen në këtë arenë të kriminalitetit shqiptar. E gjithë situata lidhet me aktivitetin e paligjshëm dhe lirshmërinë që kanë grupet kriminale në Shqipëri për të ushtruar aktivitetin, aq më tepër shtrirja e tyre jashtë, por të gjithë pasojat përplasen këtu. Edhe ngjarjet e fundit janë pasojë e pazareve të prishura.

Policia e Shtetit ka reaguar mjaft mirë, në ndjekjen e këtyre ngjarjeve, por puna e policisë nuk është të veprojë kur ndodhin ngjarje të rënda kriminale, puna e tyre është të parandalojnë ngjarje. Mendoj se çalon puna, besueshmëria që ka në komunitetit, është një raport shumë i dobët. Policia është spostuar nga misioni i saj, kemi parë policë që bashkëpunojnë me krimin. Policia mbylli sytë e bashkëpunimi me krimin për kanabisin dhe trafikimin e tij. Me tonelata të kësaj lënde që është eksportuar jashtë vendit, ka ndikim dhe policia.

Më tej, grupet e organizuara morën misione të jashtëzakonshme, duke trafikuar në Amerikën latine. Pra, u krijuan kushtet e përshtatshme për ta bërë vendin tonë vend kanabisi dhe më pas trafikun e saj jashtë. Policia në vend që të ketë një partneritet të mirë me shoqërinë, ka bërë të kundërtën e saj. Nëse ne do donim të kishim një polici në luftë me bandat, ne kemi parë një polici në luftë me qytetarët, që nga arrestimi për energjinë, deri të prishja e banesave, që nuk është punë e policisë. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është hetimi dhe zbardhja e ngjarjeve të vjetra, janë mijëra ngjarje të vjetra të pazbuluara. Kjo i shërben shumë parandalimit të krimit. Shteti, drejtësia, vendosin ekuilibër, kur zbardhen këto ngjarje të vjetra.

Kemi parë lirimin nga burgu të dhjetëra kriminelëve të rrezikshëm në vend, që ishin dënuar me burgim të përjetshëm dhe sot janë të lirë. Këta gjyqtarë iu dhanë dënim të përjetshëm atyre, por sot kam parë kujdes qeveritar për t’i liruar ato, që janë shumë të fuqishëm. Konkurrojnë bizneset e ndershme me para të pista. Puna e policisë është të ndjekë paranë, për të mos i lënë këto grupe të organizuara të fuqizohen me pasuri marramendëse.

Rasti i Dokles, kush e favorizoi?
S’dua të merrem me emra, pasi janë në dosje. Nëse ne do presim me iniciativa qeveritare që do bëjmë këtë e atë, ne nuk jetojmë në të ardhmen, por në të sotme, dhe e sotmja është mjaft e rëndë.

SHKARKO APP