Shpërthen raketa hapesinore, pezullohen fluturimet e Space X
Fluturimet e kompanisë SpaceX në hapësirë u prezulluan të enjten për shkak të rrëzimit të një rakete të saj mërkurën.
Administrata Federale e Aviacionit ndaloi përdorimin e raketave “Falcon 9” të kompanisë SpaceX për dërgimin e sondave dhe pajisjeve në hapësirë dhe urdhëroi një hetim pas aksidentit, që ndodhi para agimit në brigjet e Floridës. Nuk ka njoftime për të lënduar apo dëme ndaj pronës publike.
Është shumë herët për të ditur se sa ndikim do të ketë kjo në fluturimet e ardhshme me njerëz në bord të kompanisë SpaceX, njëri privat dhe tjetri për NASA-n. Fluturimi privat i një miliarderi u shty disa orë para këtij njoftimi për shkak të motit të keq.
Raketa u lëshua nga Stacioni i Forcave Hapësinore në Kejp Kanaveral të Floridës dhe dërgoi të gjithë 21 satelitët e internetit për shërbimin “Starlink” në orbitë. Por struktura e raketës, që i jep shtytje fazës së parë të fluturimit u rrëzua dhe u përfshi nga zjarri disa çaste pasi u ul në një platformë oqeanike. Ky është aksidenti i parë i këtij lloji në vite. Kjo ishte hera e 23-të që kjo strukturë e veçantë u përdorë për fluturimet në hapësirë, duke vendosur një rekord për pajisjet e tilla të ricikluara nga kompania SpaceX.
Administrata Federale e Aviacionit tha se duhet të gjejë arsyet e aksidentit dhe të vendos për veprimet korrigjuese përpara se të lejojë kompaninë SpaceX, që të rifillojë fluturimet në hapësirë me raketën “Falcon 9”. Një fluturim në hapësirë nga Kalifornia me satelitë interneti “Starlinks” u anulua menjëherë pas aksidentit.
Nënpresidenti i kompanisë SpaceX, Jon Edwards tha se kompania po punon me shpejtësi për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar aksidentin.
“Humbja e një strukture të raketës është gjithmonë e rëndë. Secila prej tyre ka një histori dhe karakter unik. Fatmirësisht kjo nuk ndodh shpesh”, tha ai përmes një postimin në platformën X.
Përveç fluturimit privat në hapësirë, që pritet të bëhet nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, SpaceX do të dërgojë në hapësirë dy astronautë të NASA-s në fund të muajit të ardhshëm për të kthyer në tokë dy astronautët, që arritën në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor me sondën e re “Starliner” të kompanisë Boeing. Ekspertët e NASA-s dhe ata të kompanisë Boeing kanë vendosur se kthimi i astronautëve me sondën “Starliner” nuk është i sigurt për shkak të defekteve që ata gjetën gjatë fluturimit provë./VOA/