Shpëtohen 6 persona në det, rojet bregdetare shmangin tragjedinë në Spille

Sigurimi i jetës së pushuesve ishte një ndër prioritetet e Ministrisë së Turizmit për këtë sezon veror. Për këtë arsye, u vendos si detyrim që subjektet që administrojnë plazhet duhej të kishin roje të certifikuar bregdetare për pushuesit.

Pavarësisht këtij rregulli, ngjarjet tragjike nuk kanë munguar, ashtu sikurse kanë qenë disa zona plazhesh pa roje bregdetare. Por aty ku janë vendosur rojet, e kanë treguar se kanë shpëtuar jetë. I tillë ishte rasti në plazhin e Spillesë, ku vetëm falë rojeve bregdetare u shmang një tragjedi e vërtetë.

Ngjarja ka qenë një ndër më të rëndat dhe të vështirat edhe për vetë rojet bregdetare në Spille. “Edhe një kolegu ynë ishte në gjendje shumë të rëndë”, tregon për A2 CNN një prej rojeve të Spillesë. “Një fëmijë 10 vjeç, bashkë me të atin, e kam nxjerrë unë”.

Përveç rojeve duhet që edhe vetë pushuesit të tregohen më të përgjegjshëm, pasi një pjesë e tyre i injorojnë rregullat dhe sinjalistikat, madje kundërshtojnë edhe thirrjet e rojeve bregdetare. “Disa thonë që dinë not, ose që kanë lindur në det, por nuk është kjo zgjidhja. Nuk bëhet shaka me detin”.

SHKARKO APP