Shpëtuan nga kampi Al-Hawl por futen në karantinë, SPAK-u kërkon Floresha Rashën
Pas viteve qëndrim mes frikës nëse në nesërmen do të ishin gjallë, Floresha Rasha dhe 4 fëmijët e riatdhesuar pak ditë më parë nga kampi Al-Hawl i janë nënshtruar të gjitha protokolleve të pandemisë dhe ndodhen në karantinë për shkak se kanë mbërritur nga jashtë vendit. Kryerja e këtyre procedurave ka bërë që prokuroria të shtyjë për një tjetër moment marrjen në pyetje të gruas për të mësuar të dhëna lidhur me udhëtimin që ajo, bashkëshorti i saj Diamant Rasha dhe dy fëmijët kanë ndjekur për në Siri. SPAK kërkon të identifikojë rekrutuesit, financuesit dhe kontaktet që kanë pasur për të kaluar nga Shqipëria, në Turqi, me destinacion final Sirinë.
I vëllai arriti që të dilte nga kampi Al-Hawl dhe të kthehet në shtëpi, pas 7 viteve qëndrim në Siri, por Eva Dumani refuzoi në momentin e fundit dhe ju fsheh autoriteve. Gazetari Taulant Kopliku, duke i’u referuar informacionit të një kolegut të tij gazetar në Siri me të cilin është në kontakt që nga riatdhesimi i Alvin Berishës, thotë se Eva pritet të riatdhesohet së bashku me tre gra dhe fëmijët e tyre që janë në pritje në kampin Rozh.
”Kam komunikuar ditën e djeshme me një kolegun tonë gazetar sirian me të cilin kemi pasur kontakte të vazhdueshme që nga vizita jonë në Siri nga shërbimi që kemi bërë atje për Alvin Berishën. Më ka saktësuar që Eva Dumani është gjetur nga autoritetet e kampit Al-Hawl dhe ndodhet në kamp, nuk është transportuar në kampin Rozh. Në kampin Rozh janë katër gra në pritje së bashku me fëmijët e tyre të cilat janë transportuar prej disa kohësh atje. Kanë qenë së bashku me Floresha Rashën, ato janë lënë atje ndoshta dhe për verifikim dokumentash dhe për të saktësuar dhe ndonjë situatë problematike që mund të kenë pasur në të kaluarën e tyre”,-tha ai.
Kurse lajmi i mirë është se deri në fund të nëntorit nga Libani, do të fluturojë një tjetër avion drejt Rinasit me fëmijë dhe gra shqiptare dhe shanset që Eva të jetë në këtë avion, janë të mëdha.