Shpopullimi dhe heqja e një mandati, Çollaku: Në Dibër, armiku është varfëria dhe indiferenca e Shtetit
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Dibrën, Kreshnik Çollaku denoncon situatën e rëndë ekonomike që ka përfshirë këtë qark, gjë që ka nxitur dhe largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.
Përmes rrjeteve sociale, Çollaku shprehet se në Qarkun Dibër, armiku është varfëria dhe indiferenca e Shtetit
“Në Qarkun Dibër, armiku është varfëria dhe indiferenca e Shtetit!
Tashmë është zyrtare.
Për shkak të largimit, shpopullimit, emigrimit gjatë këtyre 4 viteve Qarku i Dibrës do të humbasë një përfaqësues në Parlamentin e ardhshëm.
Paradoksi është se ajo është ndër trevat më të pasura të vendit. Nëse do të shfrytëzoheshin pasuritë që Zoti ia ka falë asaj treve, mbitokë e nëntokë, Qarku i Dibrës do të ishte ndër zonat me mirëqenien më të lartë.
Në fakt, çdo ditë të rinjtë e kryefamiljarët largohen, emigrojnë.
Është një largim që e detyron varfëria e thellë, mos zhvillimi, investimet jetësore të munguara.
Emigrimi i banorëve të Qarkut Dibër, është emigrim i bukës së gojës.
Ky është fakti.
Është aq kokëfortë e i rëndë ky fakt sa as asfaltet elektorale, ose ndonjë copë kalldrëm estetik, as bojërat e fasadave nuk e fshehin dot.
Nga Dibra, Mati, Bulqiza, njerëzit ikin, se duan një jetë më të mirë dhe trajtim me dinjitet, drejtësi e punë nga Shteti…”, shprehet në reagimin e tij, Kreshnik Çollaku.