Shqetësime pas vaksinimit? Rama flet nga eksperienca: Antitrupat…
Nga Rinasi aty ku mbrëmjen e kësaj të hëne erdhën edhe 8190 doza të vaksinës Pfizer, kryeministri Edi Rama deklaroi se nga të dhënat e deritanishme nuk ka pasur persona që kanë pasur shqetësime në lidhje me kryerjen vaksinën. Kreu i qeverisë foli nga eksperienca e tij, duke thënë se antitrupat i janë zhvilluar në mënyrë mbresëlënëse.
“Nga të dhënat e deritanishme nuk kemi pasur asnjë rast të asnjë lloj shqetësimi për personat e vaksinuar dhe nga eksperienca ime personale antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”.
Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë se brenda muajit Mars pritet të bëhet lëvrimi i 40 mijë dozave nga Pfizer. Ai u shpreh se po punohet për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një vend mik për të marrë doza vaksine nga AstraZeneca. Po ashtu Rama u shpreh se vaksinimi i popullatës për 14 muaj është i realizueshëm.