Shqetësimet e biznesit, plagë taksat e larta dhe korrupsioni
Taksat e larta dhe korrupsionin e zyrtarëve, për bizneset shqiptare janë pengesat më të mëdha në aktivitetin e tyre. Anketa e Ndërmarrjeve e zhvilluar nga Banka Botërore, BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve analizon përgjigjet e 377 kompanive vendase të shpërndara në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Raporti me administratën tatimore është thembra e Akilit për klimën e biznesit në Shqipëri, me 36.1% të biznesit që deklaron se kanë pasur të paktën një kërkesë për ryshfet. Një në tre firma deklarojnë se është e pritshme nga ana e tyre t’u bëjnë dhurata zyrtarëve për të zgjidhur punë. 43.4% e quajnë korrupsionin pengesë madhore. Sistemi gjyqësor mbetet një plagë e hapur për biznesin, së bashku me informalitetin e lartë dhe rrjedhimisht konkurrencën e pandershme, ndjekur nga forca punëtore e paspecializuar dhe vështirësitë në përfitimin e një kredie nga sektori bankar.
Ajo që habit nga ky raport, veçanërisht për periudhën kur është kryer anketa nga Janari në Maj të këtij viti, është fakti se kriza politike shihet si një ndër pengesat më të vogla, madje me një ndikim negativ më të ulët se vendet e tjera të Europës dhe Azisë Qendrore.