“Shqetësimi” për mediat, deputeti i PS: Të gjithë duam një botë më të mirë, kryeministri i pari

Deputeti socialist, Ervin Bushati ishte i ftuar i Adi Krastës në programin e tij në SYRI TV. Ai e nisi duke komentuar vendosmërinë e qeverisë për të ecur përpara me paketën anti-shpifje.

“Shqetësimi për shpifjen është gjenuin. Të gjithë duam një botë më të mirë, kryeministri i pari. Sot jemi para situatës që informacioni dhe teknologjia janë sfida të vërteta, ndaj ligjvënësit duhet të vendosin disa rregulla,” tha ai.

“Media duhet të jetë e lirë, ta kontrollosh është diktatoriale. Nuk mund ta kontrollosh. Unë mërzitem kur dikush thotë se Krasta është hajvan, por ai ka të drejtë që të thotë se çfarë të dojë,” reagoi Krasta.

“Ti e shikon si kushtëzim, por në sytë e dikujt që mund t’i prishet jeta është tjetër. Flasim për bizneset,” tha Bushati.

“Për bizneset flitet vazhdimisht, halli është të mos shkojnë tatimet. Lëreni këtë ligj të bëhet nga parlamenti që vjen,” u përgjigj Krasta.

Moderatori tha se PS nuk po merret me politika të majta. “PPP-të nuk janë, koncesionet nuk janë. Derregullimi nuk është,” tha Krasta.

Duke u ndalur te situata ekonomike, Bushati tha se “ky është viti më i vështirë për historinë e Shqipërisë. Mendoj se ky është viti më i vështirë në shumë shekuj”.

Krasta i habitur tha se Shqipëria ka dalë nga luftërat, por Bushati tha se efektet e kësaj pandemie janë më të këqija.

“Megjithatë në këtë vit të vështirë nuk ka kapitulluar shteti. Ekonomia nuk është më keq se në disa vende më të mëdha. Gjithë bota po bie, ekonomitë më të mëdha kanë rënë,” tha ai.

SHKARKO APP