Shqipëri, 143 viktima nga Covid-19 në javën e parë të marsit
Jetët e humbura nga Covid19 në Shqipëri është 1,939 persona. Prirja shqetësuese e rritjes së numrit të viktimave është vënë re prej javës së fundit të muajit shkurt.
Më 23 shkurt ishte dita e fundit që është raportuar më pak viktima së fundmi 15 viktima. Prej asaj dite e deri më sot janë raportuar 243 të vdekur nga Covid-19 me një mesatare prej 20 viktimash çdo ditë.
Situata pritet të përkeqësohet duke marrë shkas nga numri i lartë i infektimeve në periudhën janar-shkurt dhe rritjen e numrit të të shtruarve në spitale. Aktualisht në spitalet Covid në Tiranë dhe tre spitalet rajonale janë të shtruar 647 pacientë, 31 prej të cilëve janë në terapi intensive, nga këta 8 pacientë janë të intubuar.
Muaji shkurt që rezultoi më tragjiku për sa i përket statistikave të pandemisë në Shqipëri, numëroi 416 viktima. Nëse vijohet me këtë mesatare, në fund të muajit mars mund të ketë mbi 600 viktima.