Shqipëri/823 pacientë kanë fituar betejën me Covid-19
Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë së Covid-19.
“Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike. Numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar”.
Sipas saj, në Spitalin Infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me Covid-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.