Shqipëri-Serbi, policisë i dorëzohet lista e tifozëve që kanë blerë biletat

Kur kanë mbetur edhe rreth dy javë nga ndeshja e parafundit dhe nga takimi më i pritur i kombëtares sonë, mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena” , masat sa vijnë dhe shtohen. FSHF do të vendosë në dispozicion të policisë së shtetit listën me emrat e të gjithë tifozëve që kanë blerë biletë, me qëllim që policia të kryejë verifikimet e nevojshme për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri- Serbi, më 8 tetor.

Kreu i FSHF-së, Armando Duka është takuar me drejtorin e Policisë së Shtetit Haki Çako, ku për rreth një orë kanë diskutuar për marrjen e masave të përbashkëta për zhvillimin normal të ndeshjes. Ata kanë biseduar gjithashtu edhe për garantimin e rendit e sigurisë në çdo hap, që nga mbërritja e lojtarëve, tifozëve, të miqve nga Serbia para, gjatë dhe pas mbarimit të ndeshjes.

Çako, garantoi Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat, duke angazhuar të gjitha kapacitetet më të mira të saj , qoftë në burime njerëzore ashtu dhe në logjistikë.

“Masat janë të shumëllojshme , nga toka dhe nga ajëri , por i garantoj që të gjithë tifozët se masat e policisë nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo frenojnë tifozët, por kanë për qëllim vetëm të garantojnë mbarë-vajtien e kësaj ndeshje duke i ardhur në ndihmë skuadrës tonë kombëtare”, është shprehur Çako.

Në takim u vendos që një grup nga Polica e Shtetit dhe një grup nga Federata Shqiptare e Futbollit të bëjnë këqyrjen e stadiumit dhe të ambienteve përreth duke përcaktuar në vend edhe masat konkrete për gjithë pikat e paraqitura në planin e masave.

Kujtojmë se Shqipëria është organizatore e këtij takimi dhe çdo incident do të minonte shansin e saj historik për kualifikimin në Euro 2015. Serbia edhe nëse e fiton takimin me kuqezinjtë nuk ka asnjë shans për të prerë një vilet në Europianin e ardhshëm.

SHKARKO APP