Shqipëria 15 vite në NATO/ Presidenti Begaj: Kemi sjellë siguri për rajonin

Shqipëria shënon këtë prill 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërkohë vendi vazhdon të mbështesë politikën e zgjerimit dhe të rritjes së bashkëpunimit me Aleancën.

Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Presidenti Bajram Begaj ka ndarë një mesazh, duke thënë se kjo datë është më e rëndësishmja e historisë sonë kombëtare.

“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shkruan Begaj.

SHKARKO APP