Shqipëria drejt rregullimit të Inteligjencës Artificiale, AKSHI harton projektligjin e parë
Shqipëria po ndërmerr një hap të ri në transformimin digjital, teksa Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hartuar projektligjin e parë “Për Inteligjencën Artificiale”, i cili synon të krijojë një kuadër të qartë ligjor për përdorimin dhe zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale në vend.
Sipas relacionit shoqërues, drafti parashikon klasifikimin e sistemeve të inteligjencës artificiale sipas nivelit të rrezikut, vendosjen e detyrimeve për kompanitë që i ofrojnë apo përdorin këto sisteme, si dhe krijimin e ambienteve testuese për zhvillimin e inovacionit teknologjik.
Në argumentimin e institucionit theksohet se mungesa e një kuadri të posaçëm ligjor krijon pasiguri juridike për bizneset dhe institucionet publike, si dhe rrezik për cenimin e të drejtave themelore dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Projektligji parashikon që sistemet e inteligjencës artificiale të vendosura në treg përpara hyrjes në fuqi të ligjit mund të vijojnë të përdoren, por duhet të përshtaten me kërkesat ligjore brenda një periudhe tranzitore prej 24 muajsh. Ndërkohë, ofruesit dhe përdoruesit e sistemeve me rrezik të lartë do të kenë afat 12 muaj për të përmbushur standardet e reja.
Sipas AKSHI-t, projektligji synon të rrisë sigurinë juridike dhe teknike në përdorimin e inteligjencës artificiale, të mbrojë më mirë qytetarët dhe konsumatorët, të nxisë investimet teknologjike dhe të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimi Evropian.
Drafti parashikon edhe masa ndëshkuese për shkelësit, me gjoba që variojnë nga 3% e xhiros vjetore deri në 150 milionë lekë, ndërsa AKSHI do të ketë rolin e autoritetit koordinues për zbatimin e ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

