Shqipëria e fundit në Ballkan për hetimin e korrupsionit
Shqipëria përgjatë kësaj dekade ka pasur numrin më të ulët të çështjeve të hetuara për korrupsion në raport me vendet e tjera të Ballkanit, sipas një krahasimi që ka bërë Këshilli i Koordinimit Rajonal (RCC).
Sipas të dhënave, shihet se Shqipëria hetoi për korrupsion vetëm 0.51 % të çështjeve të hetuara gjithsej gjatë vitit 2016, teksa në vendet e tjera të Rajonit, numri i çështjeve të hetuara ishte shumë me i lartë.
Në Bosnje në vitin 2016 rreth 14 për qind e investigimeve të prokurorisë ishte për çështjet e korrupsionit. Në Malin e Zi gjithashtu rastet e korrupsionit zunë 10.5 për qind të çështjeve të hetuara dhe në Serbi 9.97 për qind. Madje edhe Kosova kishte çështje të hetuara për korrupsion gati sa dyfishi i Shqipërisë, ku rreth 1.1 % e hetimeve i dedikoheshin rasteve të korrupsionit.
Lufta kundër korrupsionit është një ndër kushtet kryesore të vendit për integrimin në BE. Teksa studime dhe indekse të ndryshme e nxjerrin Shqipërinë si një ndër vendet me të korruptuara në Rajon.
Një studim i ekonomistëve të BERZH, Peter Sanfey dhe Jakov Milatovic, të cilët kanë dhëne një diagnozë për ekonominë në rajonin e Ballkanit kanë gjetur se, pengesat e biznesit imponojnë kosto të mëdha për ndërmarrjet dhe funksionojnë si taksa të fshehura në aktivitetet e tyre.
Sipas tyre, mesatarisht, firmat në Ballkan humbasin 13.2% të shitjeve të tyre vjetore për shkak të katër pengesave në mjedisin e biznesit, përkatësisht krimit, mungesës së energjisë elektrike dhe infrastrukturës së dobët.
Shqipëria e ka këtë tregues 15% dhe humbjet më të larta sipas grafikut të mëposhtëm i ka prania e krimit. Rrugët jo të mira dhe pagesat korruptive gjithashtu janë kosto për bizneset në Shqipëri. Për pasojë, produktiviteti i firmave në Ballkan është dukshëm më poshtë standardeve të BE-së, duke reflektuar institucionet e dobëta dhe një mjedis të vështirë biznesi, konstatojnë ekonomistët.
Edhe në raportin e ”Transparancy International”, për perceptimin e korrupsionit për vitin 2017, Shqipëria shënoi përkeqësim në lidhje me perceptimin e korrupsionit në vend krahasuar me një vit më parë ku renditeshim në vendin e 83-të. Këtë vit vendi ynë renditet në vendin e 91-të me 38 pikë. ”Transparency International”, tha se vendet me mbrojtjen më të vogël për shtypin dhe organizatat joqeveritare, kanë prirje të kenë normat më të këqija të korrupsionit. “Ndërsa frenimi i valës së korrupsionit kërkon kohë, në gjashtë vjetët e fundit shumë vende kanë bërë pak ose aspak përparim”, vlerësoi Transparency International.
KOHA JONË SONDAZH

