Shqipëria feston me 7 pasuri në UNESCO, në 2019 i bashkohet edhe Liqeni i Ohrit

Shqipëria feston sot 60 vjetorin e anëtarësimit në UNESCO. Nga Parku i Butrintit deri tek Liqeni i Pogradecit, 7 pasuri të trashëgimisë botërore dhe në pritje të regjistrojmë të shtatin vendi ynë është një thesar i çmuar i bukurive natyrore dhe historike.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi me anë të disa pamjeve ka ndarë bukuritë dhe veçantinë e pasurive natyrore, kulturore dhe shpirtërore shqiptare të përfshira në listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s.

”Shqipëria ka natyrë të mrekullueshme, histori të pasur dhe kulturë autentike, çfarë e bëjnë atë një vend të admiruar nga turistët. Berati, Gjirokastra, Butrinti, Kodiku i Purpurt i Beratit, Isopolifonia, pyjet e Ahut në Rrajcë dhe Lumin e Gashit, liqeni i Prespës, janë një pjesë e thesareve të identitetit tonë që përfaqësohet në Trashëgiminë Botërore ku në qershor të vitit 2019 pritet të shtohet edhe Liqeni i Ohrit, si një trashëgimi mikse natyrore e kulturore. Këto vlera duhen ruajtur dhe përdorur bazuar në ekuilibrat e zhvillimit të qëndrueshëm”.

Pak mbi këto pasuri…

Berati

Ndërsa Berati dhe Gjirokastra janë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si një sit i vetëm, për shkak të ngjashmërive që këto qytete paraqesin jo vetëm nga ana arkitekturore, por sidomos nga ana kulturore e historike. Ato kanë të njëjtat vlera të jashtëzakonshme universale dhe si të tilla janë konsideruar si një. Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, ndërsa Berati i është bashkuar kësaj liste në vitin 2008, gjatë Sesionit të Kebekut të Komitetit të Trashëgimisë Botërore.

Butrinti

Parku kombëtar i Butrintit u shpall Monument Kulture në vitin 1948, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur u përfshi në listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarë dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit dhe ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit dhe nga kanali i Vivarit.

Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit (amfiteatri), si dhe ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj.

Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se “Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë” dhe se “çelësi është zhvillimi i ekuilibruar dhe turizmi i padëmshëm”.
Butrinti mbushur me turiste në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të akropolit në perëndim të ndërtesës me peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrimi,i cili daton në shekullin I, pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva.

Shpella e Butrintit ndodhet pranë rrugës automobilistike Sarandë-Butrint, rreth 3 kilometra larg nga qyteza e Ksamilit. Shpella vlerësohet e veçantë për nga natyra dhe për pozicioni i saj dhe ka një sipërfaqe 110 metra katrorë. Sipas arkeologëve, shpella e Butrintit ka vlera të shumta shkencore.

Ndërsa Ujësjellësi i Butrintit ka një gjatësi prej 3.5 kilometra, lartësi të kanalit 6 metra dhe gjerësi 3.5 metra. Teknikisht është një ndërtim i arritur ku gjatë trasesë së tij janë ndërtuar shumë vepra arti si, ura e kanale të përforcuara me mure mbajtëse, si dhe puseta dekantimi e kontrolli. Sipas specialistëve, ujësjellësi i Butrintit ka funksionuar deri nga fundi i shekulli IV pas Krishtit.

Gjirokastra

Një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shek 14-19, në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj. Ndërtimet e kultit, që përfaqësohen nga një xhami, një tyrbe dhe dy kisha brenda ambientit të banesave, nuk luajnë rol në profilin e qytetit.

Berati

I konsideruar si qyteti i “Një mbi një dritareve”, qyteti 2400 vjeçar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Evropës Juglindore.Qendra e tij urbane reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë Kështjella, e ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke.

Ura me 7 harqe e Goricës, nga një urë druri, në vitin 1780 u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë dhe ngrihet 10 m mbi lumin Osum. Ndërtesat e kultit përfshijnë disa kapitole dhe kolonada dhe dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kalaja dhe Gorica, janë perla të arkitekturës mesjetare.

Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla. Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë. Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.

Kodiku i Purpurt i Beratit (Memoria e botës)

I klasifikuar nga UNESCO te “Memoria e botës”, Kodiku i Purpurt i Beratit daton në shekullin VI dhe është i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishten e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Kodiku i Purpurt i Beratit ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Markut dhe sipas Matheut. Është shkruar me gërma të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të ekspertëve, “në fletë të ngjashme me letrën e zakonshme, që ka të ngjarë të jetë prodhuar nga ngjeshja e shumë elementeve petëzorë me natyrë bimore, siç janë fletët e papirusit”. Por bizantologët mendojnë se lënda e dorëshkrimit është pergamenë.

Teksti i “Codex Purpureus Beratinus” është shkruar në stilin antik scripta-continuae, domethënë pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa thekse dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve.

Isopolifonia (Trashëgimia shpirtërore)

Iso polifonia shqiptare është realisht një ndër super vlerat e folklorit muzikor shqiptar por edhe të traditës folklorike botërore në përgjithësi. Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit. Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat e mësipërme të cilat shprehin në thelb strukturën e iso polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit. Iso polifonia shqiptare u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore të UNESCO-s më 25 nëntor 2005.

Rezerva ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë
Rezerva Ndërkufitare e Biosferes Ohër-Prespe është prej 4 vjetësh pjesë e Rrjetit Botëror të Biosferës, pas miratimit si e tillë nga Këshilli Ndërkombëtar Koordinues i Programit Njeriu dhe Biosfera të UNESKO-s, në sesionin e tij të 26-të në Jönkoping (Suedi) .

Me një sipërfaqe prej 446,244 hektarësh, RNB përfshin një pjesë të Liqenit të Ohrit dhe rrethinat e saj në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, të cilat janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore, si dhe një pjesë e liqenit të Ohrit në Shqipëri. E gjithë zona e RNB është e pasur me biodiversitet me specie të rralla dhe të rrezikuara në mbarë botën. Për shkak të gjenezës historike të dy liqeneve, lloje të shumta endemike të cilat janë unike janë të pranishme vetëm në këto ekosisteme ujore dhe ato tokësore përreth.

Pyjet e ahut të lashtë
Dy vendet e para natyrore shqiptare kanë marrë mbrojtjen e UNESCO-s si zona të Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar, në korrik 2017. Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESKO-s ka miratuar zonën e pyjeve të ahut të lumit të Gashit të Shqipërisë dhe Rrajcës, dy zona të mbrojtura në nivel lokal, në Listën e Trashëgimisë Botërore si një zgjerim i zones se Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar të Karpatet dhe Pyjeve të Ahut të Gjermanisë. Vendimi u mor në sesionin e 41-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Krakov, Poloni. Ekspertët shqiptarë që kanë punuar në aplikimin e UNESCO-s, kanë përshkruar zonat e miratuara si ishujt e fundit të pyjeve të virgjër që mbeten në Shqipëri.

Rrajca ndodhet në luginën e sipërme të Bushtricës brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Shebenik Jabllanicës në pjesën verilindore të Librazhdit në rajonin e Elbasanit. Zona është gjithashtu një habitat i rëndësishëm për rrëqebullin e Ballkanit, një lloj i mbrojtur në Shqipëri. Këto zona natyrore të Shqipërisë, tashmë zona të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, gjithashtu shërbejnë në zhvillimin e turizmit dhe përpjekjet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Rajoni liqenit të Ohrit

Shqipëria ka dorëzuar pranë UNESCO-s dosjen dhe aplikimin për të përfshirë pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, si zgjerim i zonës ekzistuese të Trashëgimisë Botërore të FYROM-së fqinj, si një zonë mikse natyrore dhe kulturore e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Që nga viti 2014, Shqipëria ka qenë pjesë e një projekti të financuar nga BE me Maqedoninë që ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe efektivitetit të menaxhimit për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në Liqenin e Ohrit. Shtrirja e propozuar përfshin të gjithë pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, Gadishullin e Linit, bregdetin bregdetar në veri të kufirit maqedonas, dhe burimet e Drilonit me rrjedhat që lidhin ato me Liqenin e Ohrit, duke mbuluar gjithsej 11,378.6 ha. /ATA/

SHKARKO APP