Shqipëria hap ambasadë në Ukrainë! Ernal Filo kandidat: Do inkurajojmë Kievin të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës

Ernal Filo mori dritën jeshile nga Komisioni për Politikën e Jashtme për të qenë ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Ukrainë. Kjo është përfaqësia e parë diplomatike që hapet në Ukrainë.

“Vendimi i qeverisë shqiptare për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së Shqipërisë në Kiev, duke gjykuar nga aktualiteti që po përjeton sot Ukraina, është një dëshmi e qartë e rëndësisë dhe mbështetjes që Shqipëria i ka kushtuar kësaj situate, por sigurisht dhe qëllimi dhe vendosmëria për sigurinë dhe paqen rajonale dhe jo vetëm”, u shpreh zv/ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Artemis Malo. Filo është një diplomat me një përvojë shumë të gjatë në MEPJ. Mban aktualisht gradën “Ministër fuqiplotë” dhe shërben në Drejtorinë e Protokollit të Shtetit. Filo shërben për politikën e jashtme që prej vitit 1997.

Në fjalën e tij para Komisionit, Filo u shpreh se, “propozimi për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe situata faktike në të cilën ndodhet Ukraina, tregojnë se vendi ynë po i jep rëndësinë e duhur vendeve dhe rajoneve që sot janë në qendër të fokusit diplomatik ndërkombëtar dhe që përbëjnë një çështje sa kritike, aq edhe sfiduese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”.

Bashkëpunimi ekonomik nuk ka arritur ende nivelin e bashkëpunimit politik dhe diplomatik.“Tregtia bëhet përmes vendeve të treta. Aktualisht kemi 63 kompani me pronësi ukrainase që operojnë në Shqipëri dhe në këtë kuadër kemi patur edhe një takim të bashkëkryetarëve të komisioneve ekonomike të përbashkët, një nënshkrim Memorandumi Mirëkuptimi midis Dhomave të Tregtisë dhe një konferencë të biznesit Ukrainë-Shqipëri”.

“Me Ukrainën kemi një kuadër të konsoliduar juridik, me rreth 15 marrëveshje të nënshkruara, të cilat prekin pothuajse të gjitha fushat e bashkëpunimit, nga ato të orientimit politik dhe strategjik, e deri tek mbrojtja e investimeve, turizmi, arsimi dhe shëndetësia”, tha Filo.

Një tjetër objektiv është dhe ndryshimi i qasjes së Ukrainës drejt njohjes së Kosovës. “Do të duhet të inkurajojmë autoritetet vendimmarrëse në Ukrainë, që të ndryshojnë qasjen edhe ndaj Kosovës”. Për këtë, tha ai, “duhen marrë vendime të guximshme sa i përket vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve. Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe si një realitet i pakthyeshëm nga ana e Ukrainës, do të zgjeronte rrethin e vendeve të rreshtuara krah së mirës dhe jo krah së keqes”.

Shqipëria mbështet planin me 10 pika të presidentit ukrainas Zelensky, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjes së paqes së qëndrueshme. “Së bashku me aktorë dhe vende të tjera kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e pikës 5 që ka të bëjë me rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, tha Filo. Ai shtoi se, “Samiti i 5 dhe 6 qershorit në Zvicër do të jetë i një rëndësie të veçantë, ku secili duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për t’i dhënë fund luftës dhe për të hartuar një plan veprimi për paqen në Ukrainë”.

SHKARKO APP