Shqipëria ka 90 mijë doza vaksinash, sot nis procesi për pedagogët

Shqipëria mbetet në pritje të vaksinave të tjera anti-covid nga Covax dhe kompania Pfizer, qeveria thotë se ka tashmë në total 90 mijë doza, me të cilat synon të vijojë “intensivisht programin e vaksinimit”.

Diçka më shumë se çereku i arsimtarëve në Shqipëri kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës, teksa në program u përfshinë sot edhe pedagogët. Për të pasur mbrojtje më të efektshme nga infektimi i Covid-19, nevojiten dy injeksione vaksinash gjatë një intervali kohor prej rreth tre javësh.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndoqën nga afër nisjen e procesit të vaksinimit për rreth 200 anëtarë të stafeve pedagogjike në mjediset e Universitetit Politeknik të Tiranës. Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë së Shëndetësisë, prej 11 janarit janë injektuar 48,215 doza vaksinash.

Shqipëria ka parapaguar 3.9 milionë dollarë tek Covax për të marrë prej saj rreth 1 milionë vaksina, ndërkohë që është në bisedime me Bashkimin Evropian për të përfituar një grant prej 11 milionë eurosh që pritet të shkojë kryesisht në programin e vaksinimit.

27,872 injektime për punonjës të sistemit shëndetësor;
7,932 injektime për të moshuar;
12,411 injektime për arsimtarët, 

SHKARKO APP