Shqipëria mbyll kufijtë me Italinë? Manastirliu: Jo masa agresive
Në mbledhjen e radhës të Task Forcës për koronavirusin, i cili është kthyer në një alarm botëror, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pyetur nga gazetarët nëse do të mbyllen kufijtë me Italinë, ku virusi ka shënuar katër viktima dhe qindra të infektuar dhe vijon përhapjen me shpejtësi, tha se gjithçka do të vendoset në bazë të rrezikshmërisë. Ministrja deklaroi se mbyllja e kufijve realizohet kur paraqiten raste apo kur ka një shpërhapje të gjerë të epidemisë, madje sipas saj, edhe në këto raste nuk vendosen masa agresive kombëtare por izolohen zonat.
”Kjo situatë po trajtohet me shumë përgjegjësi nga të gjitha strukturat. Është momenti të veprojmë në përgjegjësi të plotë, duke garantuar së pari shëndetin e qytetarëve. Në varësi, dhe sipas shkallës së rrezikshmërisë, do të marrim masat përkatëse. Aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi. Sa i përket mbylljes së kufijve, unë së bashku me ekspertët, pasi duhet të kuptojmë që procesi po udhëhiqet nga ne, po vlerësojmë riskun dhe do rekomandojmë masat. Sipas shkallës së rrezikshmërisë, do të ketë edhe masa, me qëllimin e vetëm, mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Për momentin ne kemi dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare, për të pasur kontroll të imtësishëm. Për çdo vendim që do të marrim, do iu informojmë në kohë reale. Masat do të jenë të bazuara në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Mbyllja e kufijve realizohet kur paraqiten raste, apo kur kemi një shpërhapje të gjerë të epidemisë. Edhe në ato raste, nuk vendosen masa agresive kombëtare, por izolohet rasti, duke u vendosur masa sigurie në zona të caktuara. Të gjitha palët jemi në përgjigje të situatës dhe do përgjigjemi sipas shkallës së rrezikshmërisë”.