Shqipëria ”mbytet” nga refugjatët, qytetarët: Rrinë rrugëve
Shqipëria ka shënuar përkeqësim në treguesin e klandestinëve dhe emigrantëve të paligjshëm të kapur brenda vendit nga fillimi i këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Kufirit, nga janari deri në shtator 2020 në territorin shqiptar janë ndaluar 8100 klandestinë, 3 mijë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Paçka se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë është rritur, numri i personave që mbahen në qendrën e azilkërkuesve në 3 muajt e fundit ka rënë madje kjo qendër është thuajse e boshatisur.
Aty qëndron një numër i vogël personash të cilët kanë përfituar prej vitesh statusin e azilantit, siç është rasti i këtij refugjati, i cili edhe pse ka mësuar gjuhen shqipe dhe refuzon të flasë në media. Me largimin e refugjatëve nga qendra pritëse për azilkërkuesit, sipas banorëve janë zgjidhur dhe problematikat e cenimit të rendit dhe vjedhjes së banesave që ndodhen në zonë.
“Na çliroi se rrinin rrugëve”,- shprehet një tjetër. ”Që kur e kanë hequr nuk kam dëgjuar gjë”,- thotë një tjetër. Javët e fundit policia ka raportuar vazhdimisht raste të kapjes së personave që tentojnë të transportojnë emigrantët e paligjshëm. Episodi më i fundit u regjistrua të enjten në Korçë ku u prangosën 5 shtetas të cilët u kapën duke transportuar 25 klandestinë. Së fundmi transportuesit e klandestinëve krahas mjeteve luksoze me xhama të zinj, janë duke përdorur dhe makina me qira.