Shqipëria mes malesh, pamje spektakolare nga NASA

Nga ROLAND QAFOKU
Duhen disa minuta kohë që pasi ta vëzhgosh mirë ta kuptosh këtë pamje spektakolare. Janë imazhe më të fundit të publikuara nga NASA të Shqipërisë dhe Ballkanit, por edhe të kontinentit evropian. Nga kjo që shikojmë mund të nxjerrim 10 konkluzione:
1. Shqipëria është pothuajse tërësisht një vend malor. Ato fusha që ne kemi realisht janë sheshe të vogla me përmasa mikroskopike në krahasim me fushat e paana që ka kontinenti evropian. Shqipëria është pjesa më malore në Ballkan dhe Ballkani është pjesa më malore në Evropë.
2. Shqipëria ndodhet në zemër të një masiv relievi vetëm malor në Ballkan, aq sa duket si një vend mes malesh. Por, qenia në breg të detit e bën spektakolar relievin dhe pamjen.
3. Falë pozicionit gjeografik, Shqipëria ka një klimë nga më të mirat dhe më të preferuarat në kontient. Atë nuk e rrahin rrymat e forta detare si dhe rrymat e forta ajrore.
4. Shqipëria ka një pozitë të jashtëzakonshme gjeografike si një vend ku kryqëzohen dhe takohen të gjitha rrugët e Perëndimit me të Lindjes. Kjo ka të mirën e vet që nuk mund të vlerësohesh si një cep i parëndësishëm në kontinent., Por nga ana tjetër, ka të keqen se në këtë zonë nuk ka mbetur ushtri, perandori, civilizim, që të mos e ketë pushtuar dhe synuar për ta patur të vetën.
5. Shqipëria është pjesë e zonës me dendësinë më të amdhe të numrit të shteteve që ndodhen në Eropë në një siëprfaqe kaq të vogël. Ballkani ka në përbërje të tij 11 shtete: Shqipëria, Sllovenia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Kosova, Mali I zi, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania.
6. Shqipëria ndodhet në kontientin evropian, por ajo është shumë afër Azisë dhe Afrikës.
7. Deti Adriatik që lag Shqipërinë, më shumë duket si një liqen se sa një det i mirëfilltë. Por kush e ka zotëruar atë, ka zotëruar Mesdheun dhe ai që ka zotëruar Mesdheun ka zotëruar kontientin.
8. Rajoni i Mesdheut, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria është pjesa më e bukur dhe më atraktive e kontinentit evropian, por pa e tepruar edhe një nga më të bukurit në Botë.
9. Mungesa e fushave dhe ultërsirave masive ka bërë që Shqipëria dhe Ballkani të mbeten të izoluar, por njëkohësisht edhe rajoni më i varfër në kontient.
10. Shqipëria bashkë me shtetet e tjera fqinje në Ballkan janë zonat më të mbrojtura natyrale në aspektin ushtarak.

SHKARKO APP