Shqipëria në karantinë/Mjeku zbulon sa do të zgjasë izolimi
Jeta aktive në Shqipëri ka ngrirë, pasi vendi është në karantinë si masë ekstreme në luftën kundër Covid-19. Shqipëria ka 104 të prekur, 4 viktima dhe 5 të shëruar dhe sipas kryeministrit Edi Rama, kjo javë është ”luftë” e vërtetë ndaj virusit vdekjeprurës. Të gjithë pyesin sesa do të zgjasë ky izolim dhe ky shtetrrethim?
Mjeku Dritan Ulqinaku vlerëson se masat drastike të ndërmarra në vendin tonë që me rastin e parë të identifikuar me Covid-19, janë hapi i duhur dhe rruga e vetme, edhe pse shumë e vështirë për të minimizuar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.
Edhe pse mjekësia tashmë sipas tij, njeh shumëçka nga ky virus që nga periudha e inkubimit, moshat që preken më shumë, gjinia më e riskuar, kanë filluar të bëhen kombinime ilaçesh që kanë nisur të japin rezultatet e para, sërish është herët për të ditur sjelljen e mëtejshme të sëmundjes.
Distancimi social për të është arma më e mirë për ta mbajtur larg këtë virus. Nga ana tjetër, mjeku u shpreh se izolimi për shkak të COVID-19 parashikohet të jetë i gjatë, të paktën deri në fillim të majit. ”Koha që do pijmë kafe lirshëm do jetë e gjatë, minimalisht fillimi i majit”,-tha në ”Euronews”.