“Shqipëria në recesion të thellë”, Teliti: Të vetmit që nuk po vuajnë janë ndërtimet
Shefi i kabinetit të kryetarit të PD dhe eksperti i ekonomisë Dorian Teliti, në një intervistë për Ora News është shprehur se, recensioni ekonomik në vend është në shifra mjaft të larta, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk mori masat e duhura për përballimin e krizës së Covid-19 dhe ndikimet e saj në sektorët ekonomikë të vendit.
Sebastian Zonja: Teksa INSTAT njofton për një rënie ekonomike me 10,2% për tremujorin e dytë të vitit, pa u ndalur te shifrat, çfarë do të thotë kjo për xhepat e qytetarëve?
Dorian Teliti: Fatkeqësisht rënia është edhe më e lartë se aq. Kjo është vlera, shifra që raporton INSTAT që ne e dimë mjaft mirë vlefshmërinë e këtyre vlerave pasi kemi vite tashmë që kemi një Institut Statistikash që ka dalë nga serioziteti i detyrës, që e ka ngarkuar ligji shqiptar.
Sot në Republikën e Shqipërisë, fatkeqësisht, prej muajsh jemi në recesion të thellë. Recesion më i madh krahasuar me vendet e rajonit. Kur bota po vuan prej pandemisë, kur Europa po vuan prej pandemisë, kur rajoni po vuan prej pandemisë, Shqipëria është ajo që po vuan akoma edhe më shumë. Recesioni tek ne është në shifra mjaft të larta dhe është më e lartë se ajo që po kalojnë vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi e kështu me rradhë.
Kjo përkthehet që, qytetarët shqiptarë, ekonomia shqiptare në të gjithë sektorët e saj, po vuajnë masivisht. Të vetmit që nuk po vuajnë janë ndërtimet të financuara nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit. Të gjithë të tjerët po vuajnë pasi kjo erdhi si, patjetër po e po nga fakti që vendi u fut në karantinë, por aktori kryesor në këtë dështim të madh ishte ndërhyrja e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë paketat e nevojshme ndihmëse në kuadër të menaxhimit të situatës në sektorin shëndetësor po ashtu për ti dhënë një mbështetje sektorëve të tjerë të ekonomisë, atyre që preken më shumë e sidomos biznesit të vogël, të mesëm e të madh por pa lënë pas dore edhe shtresat në nevojë. E bëri këtë detyrë qeveria shqiptare? Fatkeqësisht jo!
Sipas Telitit, nga nisja e pandemisë në muajin mars e deri më sot, qeveria ka dhënë vetëm 101 milionë euro.