Shqipëria në sytë e medias greke: Protesta e dhunë për shkak të prishjes së Teatrit
Zhvillimet në Shqipëri kanë gjetur pasqyrim edhe në mediat greke. Zougla.gr shkruan se tensione dhe incidente shpërthyen në qendrën e Tiranës në orën 4:30 të mëngjesit, kur forca të shumta policie ndërhynë dhe larguan me forcë mbështetësit e Aleancës për Mbrojtjen e Ndërtesës Tradicionale për prishjen e Teatrit Kombëtar.
“Drejtuesit e opozitës, dhjetëra mbështetës të Aleancës, gazetarë dhe artistë që u përpoqën të ndalonin rrënimin e Teatrit u shoqëruan në komisariatin e kryeqytetit.
Incidenti provokoi një reagim të fortë nga opozita dhe një pjesë e madhe e botës artistike të vendit. Përleshjet mes policisë dhe protestuesve vazhduan deri në orët e para të mëngjesit, me këtë të fundit duke bërtitur me parulla antiqeveritare, por në të njëjtën kohë buldozerët vazhduan të rrënojnë ndërtesën.
Kreu i opozitës Lulzim Basha e quajti operacionin “të paligjshëm dhe të dhunshëm” dhe tha se opozita do të mobilizohej. Disa ditë më parë, ai theksoi se çështja e Teatrit Kombëtar është vija e kuqe e fundit në marrëdhëniet e opozitës me qeverinë.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjithashtu ndërhyri në këtë çështje, duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të gjykuar legjitimitetin e vendimeve të qeverisë për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.
Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit këmbëngulin se mos prishja e ndërtesës është çështje respekti për traditën kulturore të kryeqytetit shqiptar. Ndërtesa e teatrit u ndërtua në mesin e viteve ’30 dhe është një nga ndërtesat karakteristike në qendër të Tiranës. Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se po prish ndërtesën tradicionale për të kënaqur interesat e kompanive të ndërtimit” thuhet në shkrim.