Shqipëria në vështirësi me parandalimin e trafikimit të drogës nga ajri

Autoritetet e policisë në Shqipëri në bashkëpunim me homologët italianë kanë hapur një hetim mbi trafikimin e drogës pasi një avion i vogël u pikas të dielën në fushat pranë Vlorës disa milje nga deti.

Tre të dyshuar më vonë u morën në pyetje nga policia e Vlorës, megjithëse avioni dhe piloti janë të paidentifikuar.

Të martën, burimet e policisë i thanë BIRN se të dyshuarit nuk ishin të përfshirë në çështje por hetimet në bashkëpunim me forcat policore italiane vazhdojnë.

Shqetësimi është në rritje se avionë të vegjël po përdoren për të transportuar narkotikë nga Shqipëria në Itali ose në shtetet fqinje.

Në maj 2014, policia arrestoi një pilot italian, Giorgio Riformato, dhe një shqiptar, Saimir Bajramaj, pasi u përpoqën të trafikojnë marijuanë në Itali me një avion të vogël dhe dështuan. Avioni me një motor u përplas në Divjakë.

Pasi incidentit, shtetasit që jetojnë në zonat bregdetare thanë se kishin parë avionë të tjerë të vegjël teksa qarkullonin në qiell pa e ditur se kjo ishte një formë e re e trafikimit të drogës.

Në janar 2015, një pilot nga forcat e armatosura shqiptare, majori Sokol Feka, humbi jetën pasi avioni i tij doli nga kontrolli ndërsa ai po transportonte narkotikë nga Maroku në Spanjë.

Ish zv.drejtori i policisë dhe deputeti socialist Pjerin Ndreu i tha BIRN se autoritetet shqiptare duhet të bashkohen dhe të bashkëpunojnë për të ndaluar tregtinë.

“Policia duhet të bashkojë forcat me ushtrinë dhe shërbimin sekret dhe të gjurmojë zonat e rrezikut për të parandaluar episode të tilla,” tha ai.

“Tani që po bëhet e vështirë të trafikohen narkotikë me anije dhe nga toka, organizatat kriminale po përpiqen me rrugë të tjera,” tha Ndreu.

Suksesi në këtë luftë do të varet gjithashtu nga bashkëpunimi i Shqipërisë me homologët europianë, shtoi ai.

“Është e rëndësishme të bashkëpunohet nga afër me vende të tjera europiane që janë prekur nga ky trafik për t’iu përgjigjur pyetjeve – ku organizohen operacionet, cilët njerëz janë të përfshirë, si i sigurojnë avionët? – dhe shumë të tjera,” këshilloi ai.

Ish-ministri i mbrojtjes dhe eksperti i sigurisë Luan Hajdaraga i tha BIRN se përveç bashkëpunimit për informacion, Italia dhe Shqipëria duhet të ndajnë edhe teknologjinë për të gjurmuar avionët e vegjël.

“Policia kufitare shqiptare duhet të pajiset me teknologjinë më të fundit që të gjurmohen edhe avionët e vegjël që fluturojnë shumë poshtë. Italia, si vendi kryesor i prekur nga trafikimi që vjen nga Shqipëria, duhet të ndihmojë për këtë,” tha Hajdaraga.

Ai beson se teknologjia e përparuar mund të jetë mënyra më e mirë për të parandaluar zhvillimin e tregtisë së paligjshme.

Fatjona Mejdini/ BIRN

SHKARKO APP