Shqipëria nën pushtetin e shiut, rrufeve dhe kohës së keqe
Shqipëria është nën pushtetin e shiut dhe kohës së keqe. Kudo ka probleme dhe qeveria duhet të jetë në këmbë, pasi rrezikojmë përmbytjen në shumë zona të vendit. Lumi Vjosa po del nga shtrati. Shirat vijojnë të jenë me intensitet të lartë në zonën e Çarshovës dhe në majën e Pindit. Në zonën e Përmetit, niveli i Vjosës ka arritur 5.3 m ndërkohë që pika kritike është 5.4. Kjo situatë mund të sjell përmbytje. Situata po monitorohet në terren, dhe pikërisht në urën e Mifolit.
Moti i keq përgjatë natës ka krijuar probleme edhe në Bashkinë e Gjirokastrës. Ka dalë nga shtrati përroi i Lënxës në fshatin Lazarat, duke krijuar probleme për lidhjen e dy lagjeve kryesore të këtij fshati.
Moti i keq që ka përfshirë edhe Lezhën, ku rrugët janë mbuluar nga breshëri. Është përmbytur edhe nënkalimi në autostradën në Fushë-Mamurras. Niveli i lartë i ujit po vështirëson qarkullimin e automjeteve. Shkak i përmbytjes është bërë bllokimi i zgarave të kullimit të ujërave. Drejtuesit e mjeteve kanë zgjedhur rrugë alternative.
Lëpusha u zgjua nën pushtetin e borës. Në zonën e Kelmendit trashësia e borës ka arritur më shumë se 15 cm. Në Kukës kanë nisur reshjet e para të borës. Edhe në zonat e thella malore si Novosej, Shishtaveci, Borje e Topojani, ku temperaturat u ulën ndjeshëm duke sjellë dimrin.
Durrësi është përfshirë nga erëra të forta e rrebeshe shiu. Reshjet intensive kanë filluar të krijojnë probleme në qarkullim në rajonin e lagjes nr.17 dhe afër Stadiumit. Po ashtu shirat që rrëshqasin nga kodrat e qytetit kanë filluar të vështirësojnë rrugën në afërsi të zonës së Stadiumit dhe shkollës Sportive.
Në Vlorë qytetarët ankohen se përmbytjet i kanë të përhershme, ndërsa situata duket se nuk shqetëson aspak pushtetin lokal. Ka banorë që janë përmbytur disa herë dhe askush nuk ka marrë masa. Kjo situatë ka bërë që ata të mos hezitojnë të vlerësojnë si mundësi largimin nga vendi.
Edhe në Tiranë ka probleme. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve në zonën e ”Don Boskos”. Situata po ashtu ka shkaktuar trafik të rënduar.