“Shqipëria një euro”, pasojat e privatizimit të bazës ushtarake të Sarandës nga oligarkët
Ish-zv komandanti i flotës detare Artur Meçollari denoncon drejtuesit e lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për skandalin e grabitjes së pronave të ushtrisë në vijën bregdetare.
Ai tregon se si ministrat e mbrojtjes në dy qeverisjet, PS dhe PD kanë hequr nga administrimi i ushtrisë sipërfaqet të mëdha toke bazë ushtarake dhe i janë kaluar kompanive të ndryshme private për resorte turistike.
Për shkak të kundërshtive për grabitjen e pronave të ushtrisë, ai është shkarkuar nga ministrat e dy qeverive.
Historia e shkarkimit të tij na tregon se si për interesa korruptive, hidhet në rrugë cilido profesionist me karrierë, që guxon të kundërshtojë eprorin, edhe kur është fjala për cënimin e sigurisë kombëtare.
Meçollari dhe të tjerë ushtarakë e fituan betejën për mbrojtjen e Kepit të Palit, ndërsa të tjera baza ushtarake kërcënoheshin.
Baza e Sarandës ishte njëra prej tyre.
Ministrja e Mbrojtjes ia dhuroi këtë bazë ushtarake dy kompanive private, të cilat kanë fituar të drejtën të zhvillojnë aty aktivitetet e tyre në hoteleri turizëm, duke paguar shumën simbolike bazuar në nismën “Shqipëria një euro”.
Forca Detare kishte rënë dakord me kompanitë, që të ndërtohej baza ushtarake dhe një port në një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrore. Ndërsa pjesa tjetër prej 30 mijë metrash t’i jepej kompanive për të zhvilluar projektin e tyre.
“Baza do të ndërtohej në një sipërfaqe 10 mijë metër katror dhe pjesa tjetër mund të lihej me qira, por gjithmonë duke rritur kapacitetet. Për këtë ne bëmë një kërkesë operacionale se si duhet të ishte baza. Duke ngritur një grup punë, duke vlerësuar situatat, kërkesat që duhet të kishte baza e re…e cila nuk ishte e lirë dhe ia paraqitëm, Ministrisë së Mbrojtjes, ministres e cila ishte e pakënaqur me këtë projekt pavarësisht se ishte në përputhje me ofertën e bërë nga dy kompanitë.
Ministrja nuk ra dakord sepse në një takim që kam pasur me ministren shefin shtabit të përgjithshëm dhe një drejtor juridik të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrja dhe shefi i shtabit kërkonin ndryshim të projektit pasi shpenzimet për firmën ishin shumë të mëdha. Në fakt projekti ishte në përputhje. Unë bëra një pyetje duke thënë: Ju duhet të jeni avokat i Forcës Detare dhe jo të kompanive që kërkojnë të investojnë në Forcat Detare”, thotë ai.
Në një takim të dytë, ministrja thirri të gjithë ushtarakët që kishin lidhje me këtë çështje, përveç Meçollarit, dhe atje u vendos që sipërfaqja e të gjithë bazës ushtarake t’i kalonte dy kompanive private.
“Ministrja ka thirrur në një takim të veçantë të gjithë ekipin tim, përveç meje dhe u ka bërë presion duke më ofenduar mua. Po ashtu duke i bërë presion personave që konfirmuan se vendimi i marrë ishte i përbashkët.
Baza jepej e gjitha me qira pa lënë asnjë gjurmë të bazës së Forcës Detare. Kjo në dijeninë time është bërë për shkak të një shkrese që ministrja e Mbrojtjes i ka dërguar Ministrisë së Financave në kundërshtim me propozimin që ka bërë Forca Detare, nuk e di sot cili është pozicioni i Shtabit të Përgjithshëm. Unë e kam kërkuar këtë shkresë Ministria e Mbrojtjes nuk ka kërkuar që ta japë”, thotë ai.
Artur Meçollari na shpjegon pasojat e privatizimit të bazës ushtarake dhe pse ky vendim i zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes cënon sigurinë kombëtare.
“Kanali i Korfuzit dhe deti Jon është kanali me trafikun me të lartë detar në Republikën e Shqipërisë dhe prezenca e një baze detare do të thotë asistencë, operacionalitet si edhe kontroll të trafikuar detar dhe jetës së njerëzve.
Ndër të tjera është edhe një prezencë ushtarake e Shqipërisë në rajon. Nuk është thjesht një vendimmarrje e pastudiuar, ajo bazë është krijuar në vitin 1974 dhe ka ekzistuar për 50 vjet dhe mungesa e një baze të tillë duke qenë se baza kryesore e Shqipërisë ndodhet në Pasha Liman e bën që Forcat Detare të jenë të ekspozuara në ushtrimin e misionit të tyre në Kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon”, thotë më tej ai.
/abcnews.al/